Shoqata bamirëse “Ndihmo edhe Ti” e bënë me shtëpi banimi familjen Kastrati nga Turjaka

Falë shoqatës bamirëse “Ndihmo edhe Ti”, me donator Halim Hotin nga Carralluka, i cili jeton dh vepron në Suedi, dhe Komunës së Malishevës, familja e Musaj dhe Bukurie Kastratit nga Turjaka, prej sot, përfundimisht e kanë të zgjidhur problemin e banimit, pasi janë bërë më shtëpi të re.
Sot, kësaj familje ju kanë dorëzuar çelësat e shtëpisë, e cila është ndërtuar falë donatorit Halim Hoti, përmes shoqatës humanitare “Ndihmo edhe Ti”. Shoqata e ka ndërtuar pjesën e mureve dhe meremetimin e brendshëm, ndërsa kulmin e shtëpisë e ka ndërtuar Komuna e Malishevës, në mënyrë që kjo familje të ketë një strehë normale për jetesë.
Liridon Llapashtica, drejtor i shoqatës, ka thënë se kjo shtëpi, sikur edhe shumë të tjera, janë ndërtuar falë donatorit Halim Hoti, të cilin e ka falënderuar për këto donacione, si dhe falë bashkëpunimit të mirë me Komunën e Malishevës. “Ne do të jemi, gjithmonë aty ku është nevoja dhe falë këtyre donacioneve dhe këtyre bashkëpunimeve me komuna, apo institucione tjera, do t’iu dalim në ndihmë familjeve që kanë nevojë”, ka thënë Llapashtica.
Familja e Musaj dhe Bukurie Kastratit, janë katër anëtar, ndërsa për shumë kohë, kanë qenë pa shtëpi, mirëpo prej sot, ata e kanë zgjidhur përfundimisht problemin e banimit.