Shokon Gjocaj thotë ”s’marr përgjegjësi për vdekjet në QKUK”

Zyrtarët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nuk pranojnë të marrin përgjegjësi për dy vdekjet e dyshimta, të cilat kanë ndodhur në këtë qendër më 7 shtator të këtij viti.

Kanë kaluar më shumë se një javë qëkur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në rrethana ende të panjohura, dy pacientë kanë ndërruar jetë. Për rastin tashmë kanë nisur hetime nga ana e organeve të hetuesisë. Ndërkohë që shkaktar po dyshohet të jetë gazi medicinal Oksidull (N20), i cili është përdorur te pacientët. E zyrtarë të këtij institucioni shëndetësor nuk deklarohen qartë nëse do të marrin përgjegjësinë e këtyre vdekjeve që ndodhën ditë më parë në QKUK.

Personi kyç në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), drejtori, Curr Gjocaj, pyetur se a do të marrë përgjegjësinë mbi dy vdekjet e dyshimta, ka thënë se ai mban pozitën e stafit administrativ dhe se nuk punon në sallat e operacionit.

“Unë jam administratë e përgjithshme. A punoj unë në salla, me bombola? Unë jam menaxher administrativ dhe ashtu siç po e hulumton rastin edhe hetuesia edhe prokuroria, edhe unë i tillë jam në këtë aspekt. Për momentin nuk e ushtroj zanatin në salla. Por, gjithsesi është mirë që tregu të rregullohet nga ana e institucioneve relevante dhe shpresojmë që kjo të rregullohet në kohë. Me këto lloj kontratash furnizohet e tërë Kosova”, ka thënë Gjocaj kur është pyetur se a do të mbajë përgjegjësi dhe a do të ketë suspendime të stafit të SHSKUK-së për vdekjet e dyshimta.

Ai ka tentuar që të nxjerrë situata hipotetike, duke e ndërlidhur me këtë rast kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Edhe Shpend Ahmeti nëse mund të ketë nevojë për këtë gaz, çdo lloj komune merr këtë gaz prej këtyre kompanive”, ka thënë ai, duke mos pranuar të jap përgjigje direkte për përgjegjësinë e tij si drejtor.

QKUK insiston në dy vdekje të dyshimta

Megjithëse, Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se po heton tri vdekje të dyshimta, zyrtarë të QKUK-së vazhdojnë të insistojnë se kanë qenë vetëm dy pacientë, të cilët në rrethana ende të panjohura kanë ndërruar jetë më datë 7 shtator derisa ishin futur në operim.

Pyetur nga Express, drejtori i SHSKUK-së, Curr Gjocaj, ka dhënë një shpjegim lidhur me këtë çështje. Thotë se personi i tretë nuk është futur në operacion dhe as nuk e ka përdorur gazin oksidul në ditën kritike.

“Zyrtarisht janë vetëm dy persona që lidhen me rastin në fjalë në ditën kur ne kemi pasur disa probleme. Është fjala edhe për një të tretë. Ai i treti është një pacient tjetër që ka vdekur atë ditë në klinikë. Nuk është futur në operacion, nuk ka përdorur oksidul, por thjesht ka qenë pjesë e atyre datave”, ka deklaruar tutje Gjocaj.

Tutje ai është shprehur se po i presin rezultatet e analizave të obduksionit në mënyrë që të zbardhet i gjithë rasti.

“Hetuesia dhe mjekësia ligjore e ka kryer autopsinë e këtyre personave dhe ne jemi shumë të interesuar ta zbardhim ngjarjen”, ka thënë tutje ai.

E ndërkohë i pari i SHSKUK-së, Curr Gjocaj, është deklaruar se a i ka njoftuar dhe kur QKUK-ja organet e hetuesisë për këto vdekje. Thotë se fillimisht i kanë njoftuar komisionet e brendshme dhe profesionistët që të tregojnë për shkakun e këtyre vdekjeve.

Ai ka thënë se nuk kanë tentuar ta fshehin rastin, ndonëse nuk kanë lajmëruar Prokurorinë për vdekje të dyshimta po atë ditë.

“Kemi lajmëruar inspektoratin dhe disa të hetuesisë që i njohim dhe kemi kërkuar që të gjenden shkaqet”, ka pohuar ai. “Ne menjëherë i kemi njoftuar komisionet e brendshme. Kur shfaqet një problem ne e kemi për detyrë ta analizojmë në planin profesional. Kur është raportuar si një problem të cilit nuk kanë mundur t’ia gjejmë shkakun e vërtetë. Operacionet kanë ndodhur në ditën e enjte. Ne që atë ditë kemi pasur informatat e para që ka komplikime”, ka deklaruar tutje Gjocaj.

E ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë tashmë me urgjencë ka kërkuar themelimin e Bordit të ri drejtues të SHSKUK-së në mënyrë që QKUK-ja përmes këtij bordi të mund t’i raportojë Ministrisë së Shëndetësisë për të gjitha problemet që shfaqen në këtë institucion shëndetësor.