Sead Zimeri: Spastrimi etnik i shqiptarëve nisi me projektin “Shkupi 2014”

Filozofi nga Maqedonia, Sead Zimeri ka folur për zhvilimet e natës së kaluar në Maqedoni, ku militantë të VMRO-DMPNE-së vandalizuan Kuvendin në tentimin e tyre për të ndalur zbatimin e koalicionit të partive shqiptare me LSDM-në e Zoran Zaevit.

Zimeri, në një analizë për portalin Periskopi tha se pushteti maqedonas filloi spastrimin etnik të shqiptarëve me projektin “SHKUPI 2014”. Sipas tij, e gjitha u bë me dijen e shqiptarëve dhe me BDI-në në koalicion me ultranacionalistin, Nikola Gruevski.

“Fakti që projekti SHKUPI 2014 u bë gjatë kohës kur shqiptarët ishin aty për t’i mbrojtur interesat e shqiptarëve është, në nivel semiotik, një indikator se shqiptarët në pushtet kishin harruar kauzën e tyre. SHKUPI 2014 është projekt i pastër nacionalist ekstremist që t’i shlyen të gjitha shenjat e përkatësisë kombëtare. Është një projekt ku shqiptari ndjehet sikur me qenë në ndonjë vend të huaj, ku ai kurrë nuk ka kontribuar asgjë. Sfera publike e kryeqyteti të shtetit i përjashtoi shqiptarët, i margjinalizoi deri në atë masë saqë asnjë gjurmë nuk mbeti aty. Që një parti maqedonase nacionaliste kishte interes të madh që ta pastroj Shkupin, nga elementet e pluralizmit etnik dhe kombëtar, por kryesisht nga elementi shqiptar, është plotësisht e kuptueshme ndonëse e papranueshme. Ata kishin një program nacionalist. Që ai projket u zhvillua nën mbikëqyrjen e shqiptarëve është akti më i tmerrshëm, më katastrofal, më i papranueshëm dhe më i pafalshëm i politikës shqiptarë në Maqedoni”, tha Zimeri, i cili jeton dhe vepron jashtë Maqedonisë.

Sead Zimeri

 

Zimeri theksoi se qëllimi i tij nuk është t’i mbrojë politikat nacionaliste shqiptare, por sipas tij në situatën politike të Maqedonisë, qëndrimet politike shprehen nëpërmjet linjave etnike.

Ai akuzon Bashkimin Demokratik për Integrim se nuk u qëndroi besnik interesave të shqiptarëve, për çka thotë se mori ndëshkimin me vota nga shqiptarët që jetojnë Maqedoni.

“Tani nuk dua të promovoj politikat nacionaliste shqiptare dhe kur flas për rolin e partive shqiptare në një koalicion me një parti ultra-nacionaliste maqedonase në mbrojtjen e interesave shqiptare, këtë e bëj ngaqë rendi politik aktual është i ndërtuar i till që politikat shprehen përmes linjave etnike. Por BDI nuk i qëndroi besnik interesave të shqiptarëve, për çka edhe u ndëshkua nga votuesi. Por jo vetëm që nuk i mbrojti interesat e shqiptarëve, ajo i promovoi interesat e nacionalistëve maqedonas, duke u dhënë projekteve të tyre legjitimitet shtetëror: paramendojeni një situatë ku shqiptarët në heshtje pranojnë që të shlyjen nga një hapësirë publike qendrore! Efektivisht kjo u ka ndodhur shqiptarëve të Maqedonisë. Ne u përjashtuam ngaqë u vetpërjashtuam. Ne u dhamë bekimin tonë nacionalistëve maqedonas, ne ua aprovuam një projekt ultranacionalist ku në nivel semiotik na spastroi etnikisht, dhe me këtë akt e inkurajuam nacionalizmin dhe shovinizmin maqedonas. Nacionalizmi agresiv na përjashtoi nga SHKUPI 2014, një spastrim entik simbolik, kurse BDI vazhdoi të qëndronte në koalicion me ta”, vazhdoi Zimeri në analizimin e situatës atje, për çka thotë se sollën këto përplasje në Maqedoni.

Një pjesë e skulpturave të vendosura në Shkup | Projekti “SHKUPI 2014”

 

Njohësi i mirë i situatës politike në Maqedoni, për Periskopin tha se populli shqiptar atje e kuptoi që BDI nuk po mbronte interesat e tij, por po mbronte interesat e veta.

Ai shpreson se në të ardhmen shqiptarët do të kenë mësuar nga, siç shpreheht ai, “dështimet monumentale të BDI-së”.

“Fatmirësisht populli e kuptoi që ata po mbronin interesat e tyre e jo të populli dhe vendosi për herë të parë në historinë e Maqedonisë që kur ekziston si shtet të votoj për një program politik, pavarësisht se cilës etni i takon partia. Unë shpresoj që në të ardhmen shqiptarët do të kenë mësuar nga dështimet monumentale të BDI-së dhe të jenë pjekur politikisht për të bërë politike nacionale por jo nacionaliste, për të votuar politikanët jo në baza të enticiteteve të tyre por në bazë të programeve politike që i kontribuojnë mirëqenies së gjithë qytetarëve pa përjashtim. Një politikan në Parlamentin e Maqedonisë apo në Qeverinë e Maqedonisë duhet t’i mbrojë interesat e qytetarëve të Maqedonisë në mënyrë të dinjitetshme dhe pa dallime dhe diskriminime etnike”, vazhdoi Zimeri.

Ai tha se e ardhmja e Maqedonisë mund të jetë vetëm e këtillë. Zimeri vlerësoi se projektet nacionalistë, si ato maqedonase ose shqiptarë, Maqedoninë do taçojnë në humnerë.

Sipas tij, projektet që i nevojiten Maqedonisë janë ato për shtet ligjor dhe demokratik.

“Nëse Maqedonia ka një të ardhme politikë mund të jetë vetëm e këtillë. Projektet nacionaliste, qofshin ato maqedonase apo shqiptare, do ta çojnë Maqedoninë në humnerë, kurse projektet për ndërtimin e një shteti ligjor dhe demokratikë ku të gjithë gëzojnë të drejta të barabarta do ta stabilizojnë shtetin, sigurinë, si dhe mirëqenien e të gjithëve”, konludoi Zimeri.

E sa i përket koalicionit të partive shqiptare me LSDMN-në e Zaevit, Zimeri theksoi se s’duhet krijuar iluzione për ndryshimin e kahjes së Maqedonisë, megjithatë tha se është hapi i parë i domosdoshëm për fillimin e një bashkëpunimi që mund të jap rezultate.

“Nuk duhet të kemi iluzione që një koalicion me Zaevin rrënjësisht do ta ndryshojë kahjen e Maqedonisë, por është hapi i parë dhe, në këtë rast, i domosdoshëm për fillimin e një bashkëpunimi që mund të japë rezultate më pak nacionaliste. Ne e kemi nacionalizmin në gjak, kështu pretentojnë nacionalistët së pakur, por nuk duhet harruar se si çdo virus edhe ai ekziston ngaqë nuk ka vullnet politik të mjaftueshëm për ta bërë atë pa efekt. Maqedonia është shtet i vogël e i dobët për të eksperimentuar me politika nacionaliste dhe shoviniste. Politikat e tilla do ta bëjnë bashkëjetesën të pamundshme dhe, herët a vonë, do t çojnë në prishjen e shtetit. Besoj se nuk është në interes të askujt që Maqedonia të copëtohet, sepse nga një konflikt i tillë askush nuk do të dal fitues, përkundrazi të gjithë do të vuajmë. Nacionalizmi kur nuk ka për qëllim krijimin e kushteve për mbrojtjen e popullit për të cilin lufton, por shkatërrimin e tyrë, bëhet jo vetëm irracional por edhe i rrezikshëm si për të tjerët ashtu edhe për veten. Mendoj se në këtë moment janë shqiptarët ata të cilët janë duke e mbrojtur sovranitetin e shtetit të Maqedonisë dhe ishin shqiptarët ata që u treguan të gatshëm, racional dhe mbi të gjitha, progresivë kur vendosën të votojnë për një parti maqedonase. Ky është një moment historik i madh në politikën shqiptare. Pavarësisht që ishte hap i vogël, me këtë gjest shqiptarët u treguan të gatshëm t’i tejkalojnë mëritë dhe urrejtjet nacionale për një të mirë me të madhe, për një qëllim më të lartë. Është një akt krenarie. Tani duhet të qëndojmë në atë linjë politike. Tani duhet të mendojmë për një të mirë të madhe; tani kemi nevojë për një politikë progresive dhe duhet të punohet për zhvillimin e një kulture demokratike qytetare”, përfundoi Sead Zimeri.

Aktualisht situata politike në Maqedoni vazhdon të mbetet e tensionuar. Pas zgjedhjës së kryetarit të Kuvendi të Maqedonisë, që vjen nga popullata shqiptare për herë të parë në historinë e Maqedonisë, plasi dhuna.

Nga huliganët që rrahën deputetët në Kuvend mbetën të lënduar më shumë se 100 persona. Me lëndime më të rënda u ndanë lideri i LSDM-së Zoran Zaev dhe lideri i LR-PDSH-së, Ziadin Sela. /Periskopi/