Së paku  25 zyrtarë shkojnë në SHBA – Mijëra euro shpenzime për turizmin qeveritar

qeveriaTë paktën 25 zyrtarë të Shtetit të Kosovës do të shkojnë në OKB në kuadër të Sesionit Vjeshtor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së. Tashmë, është qartësuar se delegacionit do t’i prijë Shefja e Shtetit, Atifete Jahjaga.

Presidentja Atifete Jahajga do t’i prijë delegacionit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në kuadër të Sesionit Vjeshtor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së.

Pjesë e delegacionit do të jenë edhe Kryeministri, Ministri i Punëve të Jashtme, Ministri i Brendshëm, Ministri i Integrimeve Europiane.

Presidentja do të t’i marrë me vete të paktën tetë persona, përfshirë këshilltarët, truprojat dhe stafin teknik.

Ndërkohë, pjesë e delegacionit të Qeverisë do të jenë të paktën 18 zyrtarë të Qeverisë, pa përfshirë truprojat e Kryeministrit Mustafa e Zëvendëskryeministrit Thaçi.

Burime të Gazetës Express kanë treguar se pos Mustafës e Thaçi, nga Qeveria për OKB do të nisen edhe Skender Hyseni, Bekim Çollaku, Vlora Dumoshi, Edon Myftari, Armend Ibrahimi, Drilon Zogaj, Burbuqe Thaçi, Ardian Arifaj, Edi Sejdiu, Shqipe Mjekiqi, Brajshori, Heroina Telaku, Astrit Ibrahimi, Sami Kastrati.

Ndërkohë, është qartësuar se udhëheqëse e delegacionit do të jetë Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Më herët ka pasur një shkëmbim letrash mes Presidentes Jahjaga dhe Kryeministrit Mustafa se kush duhet të jetë në krye të delegacionit dhe në fund, është vendosur që delegacionin e udhëheq Presidentja.

Për 25 zyrtarët e shtetit që shkojnë në OKB ndahen nga 68 euro si mëditje plus akomodimi nëpër hotele dhe biletat e aeroplanit. Në kohën kur mbahet Sesioni Vjeshtor i Asamblesë së OKB’së, çmimi i dhomave të hoteleve, mesatarisht është 400 dollarë për një natë.