SBASHK kërcënon me grevë të përgjithshme, rrezikohet edhe testi PISA

Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Kulturë po këmbëngulë në zbatimin e kërkesave të tyre, sidomos në Projektligjin për punëtorët e arsimit të viteve të 90-ta. SBASHK ka paralajmëruar grevë të përgjithshme që nga 13 prilli.

Mos-zbatimi i kërkesave të SBASHK-ut nga qeveria dhe greva eventuale e SBASHK-ut, do të mund ta rrezikonin edhe mbajtjen e testit PISA.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari ka thënë për lajmi.net se nëse ka grevë, atëherë do të dështojë edhe testi PISA.

Jashari ka bërë të ditur se për këtë e ka paralajmëruar edhe kryeministrin Haradinaj.

“Në bazë të natyrës së grevave, të gjithë e dijmë se kur ka grevë nuk ka as mësim dhe as aktivitete tjera. Dhe në kuadër të kësaj nëse ka grevë, atëherë dështon edhe testi PISA dhe për këtë kam alarmuar edhe dje në takimin që ishim. Unë ia përmenda edhe kryeministrit Haradinaj, por dhe Limajt e Hoxhaj, dhe ju thashë që nëse vjen deri te kjo rrezikohet edhe testi PISA”, ka thënë Jashari.

Kryetari i SBASHK-ut thotë se ka parë një mobilizim te qeveria për zbatimin e këtyre kërkesave, por që nëse një gjë e tillë nuk ndodhë atëherë do të ketë grevë të pacaktuar në të gjitha institucionet arsimore.

“Ne ishim dje në një takim që nuk ishte kryekëput për ne, mirëpo për arsimin në tërësi. Dhe unë prap alarmova thashë që keni kujdes se të gjithë këto angazhime që po i bëjmë mund të bien në ujë nga 13 prilli që mund të ketë grevë”, ka deklaruar Jashari për lajmi.net

Ai ka thënë se nuk ka pasur premtime konkrete për realizimin e kërkesave të tyre.

“Premtime direkte nuk pati pasi edhe natyra e takimit ishte tjetër. Vërehej që ata ishin të mobilizuar dhe po uroj që të ndodhë, përndryshe jam i obliguar në bazë të rezolutës që të veprojë. Nëse nuk ndryshojnë gjërat më 13 prill do të ketë grevë të përgjithshme deri në realizimin e kërkesave tona”, ka përfunduar kryetari i SBASHK-ut.

Ditë më parë kjo sindikatë ka ndërmarrë një grevë ditore në të gjitha institucionet arsimore.

Kryeministri Haradinaj për kërkesat e tyre ka kërkuar kohë, për të gjetur linjat buxhetore.

Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Kulturë si kërkesë kryesore e ka procedimin për në Kuvend, të Projektligjit për mësimdhënësit e viteve të 90-ta.