Rrugëtimi i (O)Pozitës në Malishevë dhe ndryshimet politike në horizont

sheshi i deshmoreve malisheve

EDITORIAL/

Zhvillimet qëndrore në Kosovë si duket kanë reflektuar dukshëm si kurrë më parë në klimën politike lokale në Malishevë.

Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013 IQM kishte fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvendin Komunal derisa kandidati i saj Ragip Begaj (kryetari i tanishëm i komunës) kishte fituar bindshëm në garën për kryetar komune gjatë rundit të dytë kundrejt kandidatit të LDK-së Salih Morina.

Pas zgjedhjeve lokale ishte krijuar natyrshëm një ndarja pozitë-opozitë ku pozita përbëhej në njërën anë nga IQM-ja (NISMA) me 11 asamblistë nga gjithsej 31 sa i ka Kuvendi duke marrë pranë saj edhe asamblistin e AKR-së dhe në anën tjetër opozita përbëhej nga 19 asamblistë(8 LDK, 8 PDK, 2 VV, 1 AAK).

Që në fillimet e saj Kuvendi Komunal ishte përballur me krizën e numrave të pozitës por edhe me përplasje të kohëpaskohëshme në mes opozitës për shkak të rolit të PDK-së në të kaluarën kur ajo ishte në qeverisjen lokale gjë që shihej si hipokrite sjellja e saj nga pjesa tjetër e opozitës, sidomos nga Vetëvendosje.

Ngritja dhe rënia e VLAN-it

Pas zgjedhjeve nacionale dhe krijimit të VLAN-it fryma e bashkëpunimit në mes subjekteve politike në nivel qendror nuk u përcoll aq shumë në nivel lokal me përjashtim të LDK-së e cila dalëngadalë filloi një lloj afrimi drejt pozitës. Pas prishjes së VLAN-it ku LDK-ja dhe PDK-ja u futën në koalicion qeverisës në nivel vendi kjo nuk reflektoi fare në raportet në mes Nismës dhe LDK-së përkundrazi, muaj më pas Nisma zyrtarizon bashkëqeverisjen me LDK-në në Malishevë duke i dhënë disa drejtori dhe postin e nënkryetarit i cili nuk u formalizua asnjëherë për shkak të problemeve brenda Nismës por edhe paqartësisë së vet marrëveshjes.

Pas koalicionit Nisma-LDK ndryshoi edhe konfiguracioni pozitë opozitë ku tashmë pozita kishte 20 asamblistë derisa opozita kishte 11.

Opozita deri diku impononte agjendën e saj në punën e Kuvendit Komunal por tashmë pozita kishte numrat. Një e metë e opozitës ishte edhe kualiteti përfaqësues brenda saj por kjo vlente edhe për asamblistët e pozitës ku shumica nga të dyja anët ishin asamblistë të papërvojë dhe të pa interesuar të angazhohen në debatet e seancave të kuvendit komunal dhe në ngritjen e çështjeve me interes për qytetarët.

Opozita “pikë e pesë’’

Opozita shpejt mbetet edhe pa një asambleistë pasi që njëri nga asambleistët e PDK-së kalon në Nisma.

Tashmë opozita kishte mbetur me vetëm 10 përfaqësues derisa VV dhe AAK kishin zyrtarizuar bashkëveprimin e tyre si një grup i vetëm. PDK-ja vazhdonte të lëngonte nga hija e keqe që i kishte dhënë keqqeverisja Kilaj dhe ajo Thaçi por edhe nga niveli i ulët përfaqësues në Kuvendin Komunal, faktorë që ndikonin në një opozitarizëm të ftohur dhe të ndarë në mes PDK-së në njërën anë dhe Vetëvendosjes dhe AAK-së në anën tjetër.

“Zajednica dhe Demakracioni”-Bashkëpunimi (o)pozitar ndryshe

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve nga ana e qeverisë Mustafa për themelimin e Asociacionit që opozita dhe qytetarët e quajnë Zajednicë dhe demarkacionit me Malin e Zi ku Kosova humbë rreth 9000 hektarë të tokës së saj, filloj edhe një etapë e re e marrëdhënieve në mes opozitës në nivel qendror e cila u reflektua si kurrë më parë në politikën kosovare edhe në nivele të tjera bashkëpunimi.

Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma bashkë kundërshtuan marrëveshjet e qeverisë dhe filluan koordinimin në nivelet e tyre organizative sidomos me rastin e peticionit dhe deklaratave të komunave në kundërshtim të zajednicës.

Ky bashkëpunim ishte i një natyre tërësisht politike, qytetare dhe kombëtare  andaj dallonte thellësisht me marrëveshjet që partitë bënin më parë për të ndarë tortën e pushtetit edhe pse nuk mund të thuhet se nuk mund të ketë edhe qëllime të tilla.

Nisma, VV dhe AAK filluan mbledhjen e nënshkrimeve për peticione në komunën e Malishevës derisa përfaqësuesit e tyre lokal politik shiheshin shpesh në takime të përbashkëta. Situata ndryshoi edhe më tej kur në njërën nga seancat e KK-së Vetëvendosje dhe AAK i dhanë sinjale se do ta përkrahin miratimin e buxhetit komunal me kushtin që të futeshin disa nga kërkesat e tyre në draft buxhet gjë që në masë të madhe u pranua nga qeverisja lokale përjashto këtu një pjesë të LDK-së e cila për shkak të problemeve të brendshme partiake është ndarë në së paku tri fraksione. Buxheti komunës aprovohet me gjithsej 19 vota përfshirë këtu votat e VV-së dhe AAK-së derisa të nesërmen gjatë vazhdimit të seancës me propozim të Vetëvendosjes dhe përkrahje të Nismës dhe AAK-së u miratua deklarata e përbashkët kundër Zajednicës me 16 vota. Kjo ishte edhe dita kur u pa qarja si brenda koalicionit qeverisës lokal ashtu edhe brenda opozitës së ftohur tashmë pasi që LDK dhe PDK bashkërisht lëshuan sallën duke mos dashur të përkrahin një iniciativë të tillë. Më e zëshmja ishte PDK e cila hodhi një numër akuzash deri në kërcënime kundrejt Vetëvendosjes.

Nga ajo që ishte thënë nga burime si brenda LDK-së ashtu edhe PDK-së plani ishte që buxheti komunal të mos arrinte ti merrte votat dhe kjo do të hapte mundësinë për zgjedhje të jashtëzakonshme në Malishevë për Kuvendin Komunal ku LDK dhe PDK do ti shfrytëzonin të gjitha mekanzimat e pushtetit për të dal sa më mirë në këto zgjedhje në mënyrë që ti sfidoni kritikat brenda tyre por edhe të publikut për rënie dhe ikje të anëtarësisë në nivel vendi nga këto subjekte.

Në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal gjatë debatit për kërkesën e Ministrit të pushtetit Lokal Lubomir Mariq i cili kërkonte shfuqizimin e deklaratës u betonizuan edhe më shumë kundërshtitë në mes LDK-së dhe PDK-së në njërën anë dhe Nismës, Vetëvendosjes dhe AAK-së në anën tjetër. Deklarata nuk u shfuqizua me gjithë letrën e Mariqit dhe kundërshtitë e PDK-së dhe LDK-së përkundrazi asamblistët e Nismës , VV dhe AAK rikonfimuan mbështetjen për deklaratën e tyre.

Pas kësaj pike ishte vendosur të diskutohej rregullimi i ulëseve në Kuvendin Komunal e nxitur nga PDK-ja që tashmë me çdo kusht nuk dëshironte ta kishte VV-në në krah saj. Mirëpo ndodhi i papritura, asamblistët e VV-së dhe AAK-së u deklaruan se ndihen të fyer të qëndrojnë në një rend e ulëse me asamblistët e PDK-së të cilët siç thanë ata po e mbrojnë Zajednicën dhe Demarkacionin dhe kaluan tek ulëset prapa subjektit Nisma.

Rrugë dalja vs Rruga pa krye

Kuvendi Komunal ka aktualisht si opozitë PDK-në, Vetëvendosjen dhe AAK-në por edhe një pjesë të asamblistëve të LDK-së pasi që aktualisht vetëm tre asamblistë të LDK-së përkrahin qeverisjen aktuale pjesa tjetër i përket grupeve rivale brenda kësaj partie.

PDK-ja si kurrsesi nuk po mund të dalë nga kriza morale dhe politike e shumë viteve keqqeverisje si në nivel lokal ashtu edhe qendror  e përfaqësuar mjaft dobët në Kuvendin Komunal dhe me një strukturë partiake lokale të degraduar . Vetëvendosje dhe AAK si grupi më aktiv në Kuvendin komunal me veprimet e tyre të fundit ndonëse parimore në dukje mund të humbin majën e kritikës apo ndoshta edhe të bëhen pjesë e qeverisjes lokale nëse bashkëpunimi opozitar në nivel vendi shkon drejtë unifikimit edhe më të madh. Se sa do ti qëndrojnë larg tundimit të pushtetit apo nëse hyjnë a do bashkëjetojnë me keqqeverisjen akute të qeverisjes aktuale apo do bëjnë ndryshime radikale kjo mbetet të shihet.

Kurse LDK-ja ka mbetur në situatë të pashpresë pasi që ajo është ndarë në tri grupe të cilat kanë një luftë të ashpër brenda tyre e cila ka të bëjë me kontrollin e partisë dhe ndarjen e pushtetit. Nuk duhet çuditur nëse një pjesë e asamblistëve dhe figurave të LDK-së kalon në Nisma apo në VV kurse një pjesë tjetër i bashkëngjitet PDK-së.

Ajo që kemi parë qe 16 vite dhe sidomos në 8 vjetët e fundit do duhej të merret si shembull se si nuk duhet udhëhequr dhe përfaqësuar institucionet dhe politikën.