Rrjeti elektrik i dëmtuar, rrezik për banorët e fshatit Burim (Foto)

Në këtë gjendje ndodhet rrjeti elektrik në lagjen e Ukajve në fshatin Burim. Një lexues i Malishevapress ka dërguar në redaksinë tonë disa fotografi ku shihet gjendja e tmerrshme e rrjetit elektrik në këtë pjesë të fshatit. Shtyllat elektrike të dëmtuara, kablloja e rënë në tokë, janë shqetësim për banorët e lagjes e sidomos për fëmijët të cilët duhet çdo ditë të kalojnë nëpër këtë pjesë të rrugës. Sipas burimeve tona nga fshati Burim, kjo situatë vazhdon të jetë e njëjtë për vite me radhë edhe përkundër faktit se banorët disa herë kanë kërkuar nga njësiti i KEDS-it në Malishevë që të intervenohet dhe të rregullohet rrjeti elektrik në fshat, por që kërkesat e tyre kanë hasur në vesh të shurdhët dhe nuk ka asnjë intervenim në këtë drejtim.