Rritja enorme e qeverise, rritja enorme e pagave qeveritare, ves i keq i pushtetarëve të pangopur!

Shkrim nga: Jusuf Bytyçi

Marre, marre e përtej marres, kështu nuk votoi popullata! Kjo qeveri e këta gënjeshtarë të kauzave falso po e shtojnë pasurinë e tyre marramendshëm, pa fije turpi e keqardhje për gjendjen e mjerë të popullatës shumicë, për armatën e të papunëve, pa fije shprese! Jusuf M. Bytyçi Prishtinë, 22 dhjetor Vendimi i fundit i kryeministrit të pazareve me pakicat dhe sekserët goxha të shumtë, për dyfishimin e rrogave të krejt stafit të tij në Qeveri, “të suksesshëm” në njëqind ditëshin e qeverisjes, është edhe një skandal, dhe madje goditja më e rëndë që i bëhet popullit, standardit dhe mirëqenies së padinjitetshme qytetare. Është goditje edhe për kategorinë e zyrtarëve të quajtur të lartë në konkurse e nëpër dyer të ministrive, por që marrin vetëm nga 400 euro pagë, pavarësisht se janë edhe me doktoraturë!

I ” nderuar” kryeministër, kështu nuk ka vendosur e votuar populli, votuesit nuk kanë folur për këso “marifeti”! Kështu folën dhe vendosën ata që e morën pushtetin jo me votë dhe jo se e merituan, e morën yryshxhinjtë e mashtrimeve, të cilëve u është sosur “taxhia” e mëhershme dhe tash me sekserët e tyre, të padinjitetshmit, jo përfaqësuesit, duan të kompensojnë “dëmet” në duart e xhepat e gjyqtarëve dhe avokatëve! Kjo qeveri e këta gënjeshtarë të kauzave falso po e shtojnë pasurinë e tyre marramendshëm, pa fije turpi e keqardhje për gjendjen e mjerë të popullatës shumicë për armatën e të papunëve, pa fije shprese! Kështu deshën dhe”votuan” e bënë “Amin” vetëm pazargjinjtë, që më së paku janë votuar, ose sekserët që “identitet” kanë vetëm pazaret, matrapazllaqet dhe krekosjet për të përfituar gjithsesi nga thesari që nuk do të duhej keqpërdorë për apetitit e kësaj klase të turpshme e të pangopur politike! A s’e din Ramushi se nëpër Ministri dhe administratë punojnë kuadro edhe me doktoraturë me pagë mujore për vetëm 400 euro?

E kryeministri i emëruar jo si rezultat i votës dhe i fuqisë politike, por si rezultat i pazareve, mënyrave e rrugëve të pandershme, paraprakisht është ankuar se “ballafaqohen me paga të ulëta” edhe përkundër angazhimeve të shumta të rënda “edhe pas orës 16:00, edhe gjatë natës”! “Po ha bukë të ftohtë, unë ha bukë në kerr, ha bukë në këmbë, ha ushqim të ftohtë, rrallë ha ushqim të nxehtë”, ishte shprehur disa ditë më parë kryeministri, duke e konsideruar veten të viktimizuar! Ai që ditët e para si kryeqeveritar, duke u ankuar për rrogën e tij të vogël. ngjashëm e pati arsyetuar blerjen e telefonave mobilë për anëtarët e zyrës së tij. E lëshoi dorën edhe me “dhurata tjera” për njerëz që i shërbejnë atij, klanit apo interesave të tyre! Shkarkoi, ndëshkoi, të padëgjueshmit, emëroi dhe shpërbleu me ndarje të buxhetit për Komisione, Borde etj., që e konsideron interes personal. Ky kryeministër dhe aleatët e tij, s’dinë të ngopur dhe nuk do të ndalen! Të tillët nuk e ruajnë dhe as nuk e avancojnë shtetin-segmentet shtetërore! Përkundrazi e zhvatin, e dëmtojnë skajshmerisht dhe madje në afate rekorde! Haradinaj e bashkëmendimtarët e tij, po dëshmohen se s’dinë të ndalen së pasuruari, në dëm të qytetarëve, dhe pavarësisht nëse mijëra familje në Kosovë, ballafaqohen edhe me skamje! Shumë sish, familje të papunësh, që nuk kanë mundësi të paguajnë edhe rrymën e shpenzuar nga serbët e pjesës veriore të Kosovës, janë në terr pa drita, janë shkyçur nga rrjeti elektrik, përderisa, Haradinaj ua ka falë borxhet edhe borxhlinjve të papërgjegjshëm të Kompanive-Korporatave që u janë shmangur me vetëdije obligimeve ndaj shtetit!

Po de po, sepse duket qartë se edhe ata janë pjesë e allashveresheve me këta njerëz që e zhvatën buxhetin e shtetit me probleme, si dhe popullatën e Kosovës, sa herë që u erdhi në “kuti”, sa herë që iu krijua mundësia, sa herë që iu dhurun postet, pa votën e qytetarëve! Vallë, a e dini se Kosova, aktualisht është vendi me popullatën më vitale në rajon, me rini të shëndoshë, por gjithashtu me shkallën më të lartë të rinisë së papunë dhe pa fije shprese për të ardhmen e tyre? E ju, qeveritarë, vazhdoni dyfishimin e pagave, punësoni pa kritere familjarët tuaj në dy e tre pozita, shtoni edhe më Ministri, ministra, zëvendësministra, sekserë, këshilltarë, asistentë, shoferë…! Uroj të “duroj” këtë avaz populli, por druaj. Marre, e përtej marres!