Rritja e ekonomisë duhet të filloj nga Bujqësia

Shkrim nga Burim Bytyçi-Kandidat për asamble komunale nga LDK-ja

Malisheva është kryesisht vend bujqësor, dhe nuk ka se si të krijohen të hyra të tjera më të mira dhe më të qëndrushme se sa nga Bujqesia, Agrobiznesi dhe Agroturizmi si pjesë e turizmit rural.

Qeveritë lokale por edhe ato qëndrore kryesisht orientohen drejtë betonizimit të tokave të punueshme, për të shtruar rrugë dhe shëtitore, ndoshta edhe e nevojshme por edhe përshkak se përsona të caktuar posedojnë kompanitë e betonizimit dhe përpjestimi i tenderimit në mes tyre është me i lehtë dhe pasurimi i shpejtë është më i arritshëm.

Por ka një alternativë tjetër e cila kishte me treguar një punë më të denjë dhe më fitimprurëse, e cila kishte me krijuar të hyra afatgjate të qëndrueshme për Komunen e Malishevës. Qeverisja lokale do të duhej të angazhohet më shumë për shfrytëzimin e resurseve natyrore dhe njerëzore në përputhje me rregullat e mjedisit në të cilin jetojmë.

Është pikërisht fermeri, ai i cili duhet vëhet në qënder të vëmendjes, si përsoni kyq që sjellë rritjen ekonomike në vend. Fermeri në të shumtën e rasteve harrohet dhe respektohet vetëm kur ne uritemi. Të jesh fermer është e vështirë, të mbjellësh dhe të prodhosh nuk është e lehtë duke ditur se aktualisht bujqësia në vendin tonë është e ndarë në parcela të vogla, gjë që dekurajon gjeneratën e re për tu marrë me bujqësi, përshkak të shkalles së ulët të prodhimit për parcel, me infrastrukturë të dobët bujqësore dhe me teknologji të vjetër, ata nuk do të vazhdojnë këtë punë. Përveq tjerash edhe kur përballen me përkrahje selektive dhe injorohen nga qeverisja lokale, kjo bënë që shumë prej tyre të largohen nga ky sektor i cili duhet të sjellë të hyrat kryesore në vend.

Në programin tonë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Malishevë, fermerët do të orientohen në specializimin e fermave, organizimin e tyre në kooperativa në mënyrë që ta zvogëlojnë dëmin nga fragmentimi i tokës dhe ta rrisin fuqinë konkurruese në treg. Fjala fermer do të filloj të jetë e pëlqyeshme edhe për të rinjët tonë sepse të jesh fermer nuk do të thotë të punosh vetëm tokën, por edhe të krijosh ndërmarrësi apo edhe veprimtari të sukseseshme përmes kultivimit të qfarëdo kulture që është benefite sa i përket të hyrave ekonomike, të tregtosh si të freskët, por edhe të përpunosh produktet përmes zinxhirit të vlerës, që ju të depërtoni sukseseshëm në tregje me brende të ndryshme të produkteve bujqësore,

Mund të përmendim disa prej kompanive bujqësore vendore të cilat kontribuojn dukshëm në zhvillimin ekonomik në Kosovë, dhe një model i tillë patjeter duhet të ndodhë edhe në Malishevë;

  1. Fruitomania, Gjilan (përpunimi i frutave të freskëta, prodhon 100% lëng nga frutat e shtrydhur)
  2. Qumështorja Koral Dairy, Fushë Kosovë (në fushën e përpunimit të qumështit)
  3. Eurofruti, Mramor (grumbullimi i frutave manore; boronica, dredhëza e malit, mjedra, manaferra, kaça etj.)
  4. Ask Foods, Gjilan (Produkte të përpunuara të frutave dhe perimeve, molla dhe kërpudha të freskëta)
  5. Agrocelina, Xerxe (Qendër grumbulluese e pemëve dhe perimeve )
  6. Progres, Prizren (Përpunimi i pemëve për: xhem, marmelladë, kompot dhe përpunimi i perimeve për: gjyveq, turshi e përzier, tranguj, speca të pasterizuar, ketchup, ajvar, feferona, etj.
  7. Bletaria Mëma, Malishevë (Qendër grumbulluese e mjaltës), pastaj ferma e vezeve, pulave, dhive, qumështorja në Malishevë.

 

E shumë të tjera të cilat angazhohen për krijimin e një mjedisi më të zhvilluar socio-ekonomik në zonat rurale duke mbështetur aktivitetet bujqësore, zbutjen e varfërisë, zvogëlimin e importit dhe promovimin e praktikave më të mira të agrobiznesit për zvogëlimin e papunësisë.

Në Malishevë, resurset natyrore, popullsia e moshës së re dhe mundësia e shkollimit nëse i shtohen shkollave tona të mesme drejtimet me sektorët e bujqësisë do të konsiderohen si faktorë signifikant që mund të ndikojnë në zhvillimin e këtij sektori, sepse duhet të dijmë se si më së miri t’i angazhojmë të rinjë të jenë të vetëdijshëm dhe përgjegjës në diciplina të ndryshme.

Sot zhvillimi i qëndrueshem dhe ekonomia e gjelbër janë një fokus i ri i hulumtimit, edukimit dhe zhvillimit në shumë vende. Në ekonomitë e zhvilluara, gjetja e diagnoses së problemeve të reja dhe zgjedhja e teknikave inovative janë hap kritik për promovimin e inteligjencës lokale, kreativitetit dhe inovacionit.

Kështu që, përkrahja e këtij sektori i cili është më profitabil në Kosovë, do të jetë prioritet i qeverisjes tonë lokale, gjithashtu edhe ndihmesa do të jetë me qasje të barabartë, me qëllim të unifikimit të fermerëve dhe promovimit të tyre për të depërtuar më lehtë në tregun vendor dhe atë ndërkombëtar.