Rritet çmimi i grurit, mund të ketë shtrenjtim të bukës!

Çmimi i grurit po rritet, shkak për këtë janë korrjet e dobëta si në Maqedoni ashtu edhe në suaza botërore.

Për momentin, buka nuk do të shtrenjtohet pasi që industria e bukëpjekësve është duke i përdorur rezervat e vjetra të grurit që është blerë me çmim më të lirë. Por, nga Grupi i mullisëve pranë Odës ekonomike të Maqedonisë, thonë se nëse vjen koha që buka të prodhohet me grurë të importuar, atëherë mund të ketë shtrenjtim të bukës, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Maqedonia është ekonomi e tregut dhe ne funksionojmë sipas tregut, në qoftë se ka rritje të çmimit të grurit kjo automatikisht nënkupton shtrenjtim të miellit dhe realisht ka gjasa që të rritet edhe çmimi i bukës. Deri më tani ka pasur rritje të çmimit të grurit për 12 për qind, në krahasim me vitin e kaluar, por çmimi i bukës mbetet i njejtë dhe kjo është për shkak të rezervave që i kanë tregtarët dhe prodhuesit”, tha Goran Millishiq, kryetar i grupit të mullisëve dhe bukëpjekësve.

Ndërsa, nga Ministria për bujqësi, pylltari dhe ujëra thonë se nuk ka nevojë për panikë, nuk do të ketë shtrenjtime.

“Sipas analizave të deritanishme nuk pritet destabilizim i tregut të grurit, as shtrenjtim i prodhimeve të bukëpjekësve. Ministria e bujqësisë, pylltarisë dhe ujërave me kujdes e ndjek gjendjen dhe nuk do të lejojë rrezikim të prodhimit vendor të grurit”, thuhet në kumtesën e MBPEU.

Të dhënat statistikore në këtë drejtim japin këtë raport: Korrjet e grurit në vend këtë vit janë për 38 për qind më të ulëta në krahasim me vitin e kaluar. Nga prodhimi vendor do të sigurohen 196 mijë ton grurë, ndërsa nevojat vjetore të Maqedonisë janë rreth 300 mijë ton. Mungesën prej rreth 104 mijë ton pritet të plotësohet me grur dhe miell të importuar dhe për shkak të kësaj mungese nga Grupi i mullisëve thonë se është i nevojshëm një plan pesë vjeçar për rritje të sasisë dhe cilvsisë së grurit vendor.