Rriqrat, problematikë e zonës së Malishevës

rriqrat600

Problemi i rriqrave është problem i përvitshëm në zonën e Malishevës, ndërkaq edhe këtë vit zyrtar të kësaj komune thonë se do t’i marrin masat e nevojshme për të parandaluar infektimin e qytetarëve nga rriqrat.

Në një prononcim për Telegrafin, kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, tha se tashmë janë në terren për të parandaluar infektimin e popullatës ndaj rriqrave.

“Jemi në aktivitet gjatë gjithë kohës në teren. Po bëjmë rregullimin e shtazëve nëpër stalla në të gjitha fshatrat tona. Vjet e parvjet kemi kaluar mirë, besoj që edhe sivjet. Do bëjmë spërkatjet e nevojshme. Do t’i shfrytëzojmë mundësitë tona deri në maksimum”, tha Begaj për Telegrafin.

Ndërkaq, ai shtoi se vitin e kaluar nga parandalimi i shpejtë, nuk kanë pasur asnjë rast të infektimit dhe të vdekjeve nga rriqrat.

Kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj po ashtu tha se “Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kanë qenë aktive dhe i kanë dal në ndihmë komunës sonë. Besoj që edhe sivjet do të na dalin në ndihmë për të kaluar mirë si vitet paraprake”.