Rregullohet infrastruktura në Carrallukë

Sot në fshatin Carrallukë të Komunës së Malishevës, ka filluar rregullimi i rrugëve në dy lagje të saj, ndërsa në të njëjtën kohë është duke u punuar edhe në rregullimin e kanalizimit brenda fshatit. Fillimin e rregullimit të rrugës dhe rregullimin e kanalizimit, e ka parë nga afër drejtori  i Drejtorisë së Urbanizmit, Ahmet Morina.

Me këtë rast, drejtori Morina i ka uruar banorët e këtyre lagjeve për rregullimin e rrugës. “Hapja, rregullimi dhe asfaltimi i këtyre rrugëve janë pjesë e listës së  investimeve të Komunës së Malishevës, të cilat janë planifikuara duke u bazuar në kërkesat e juaja si banorë të fshatit. Gjithashtu edhe kanalizimi, është pjesë e këtyre investimeve dhe ne jemi të përkushtuar në rregullimin e infrastrukturës së përgjithshme në të gjitha fshatrat e Komunës së Malishevës”, tha drejtori Morina.

Sipas tij, momentalisht në Carrallukë janë duke u realizuar rreth dy mijë metra kanalizim, si dhe rrugë në gjatësi prej 700 metrave, dhe financohen nga buxheti komunal i Malishevës.

Drejtori Morina, gjithashtu ka bërë të ditur se tashmë punimet kanë filluar ose pritet të fillojnë në shumicën e projekteve, pasi janë kryer të gjitha procedurat për realizimin e projekteve nga lista e investimeve kapitale, për vitin 2017.