Rinia – Të shtypurit e së tashmes, shpresa e së ardhmes

diana vrajolliShkrim nga Diana Vrajolli
Rinia simbolizon agimin e Diellit,që çdo mëngjes ngjall shpresat e nxit buzëqeshjet për një ditë më të mirë se ajo e djeshmja . Kështu, nga çdo gjeneratë e re lind një shpresë e re për ndryshim.
“Ambicia është hapi i parë i suksesit,hapi i dytë është veprimi”-thënie kjo shumë e dëgjuar. Por ku vallë, do e fitojnë këtë ambicie rinia e vendit tonë? Cili do të jetë frymëzimi e inspirimi i tyre për ndryshim? A thua do të jetë fakti që diploma do të të shërbej të punosh në ndonjë restaurant, si automekanik apo si frizere? Apo ndoshta nga fakti që të jesh i varfër do të thotë të mos jesh i barabartë? E që konkurenca për vende pune nuk matet me dituri, por me numrin e të afërmve të punësuar në atë vend apo në ndonjë institucion tjetër me ndikim?

Kjo situatë e mjerë dhe kjo udhëheqje e dështuar e vendit tonë po rezulton në shtypjen e ardhmërisë, të cilëve, pasi ua kanë humbur motivin, i bëjnë të dorëzohen. Pse të mundohen, kur mundi i tyre nuk vlerësohet? Gjendja e tanishme e shtetit tonë e ndryshon edhe thënien më lart, duke treguar se hapi I parë për sukses është vetë migrimi, gjë që kohëve të fundit është rritur në një shkallë alarmante.
Është një gjendje pak a shumë si te romani ‘Krim dhe ndëshkim’ i Dostojevskit, ku njerëzit janë të ndarë në të zakonshëm dhe të jashtëzakonshëm, e ku drejtësia nuk duket gjetiu, ndërsa veprimet e të jashtëzakonshmëve (përfshirë këtu edhe krimin) janë të arsyeshme.

E kjo shoqëri pa motiv e pa drejtësi, i shtynë njerëzit të veprojnë pa vetëdije e të arrijnë në situatë ekstreme, ku vjedhja e vrasja bëhen pjesë e përditshmërisë, e rrjedhimisht edhe për të riun bëhen si një racion ditor. Shoqëria kriminalizohet, mjerimi kap majat, arsimimi kolapson. Shpresa bie. Por dorëzimi në këtë rast është akt qyqar e i papranueshëm. Në vend të dorëzimit, duhet shtruar një pyetje: Si do të ndryshojë e ardhmja jonë kur ndodhemi në mes të një errësire të këtillë?!
Të gjithë këta shembuj të cekur që në shumicën e rasteve do të çonin në demoralizim të mëtutjeshëm të rinisë, duhet për t’i parë si një arsye dhe motiv shtesë për angazhim edhe më të madh për ta bërë ndryshimin e domosdoshëm, që nuk bëhet shpejtë, e nuk bëhet as vetë.
Të gjithë janë lodhur nga korrupsioni, krimet e organizuara, padrejtësia, varfëria, pabarazia etj., që po mbizotërojnë mbi ne e mbi vendin tonë prej vitesh. Krejt këto ndërtojnë një tregues që alarmon për nevojën për ndryshim rrënjësor të kësaj situate.
“Fati i popullit tim, është fati im”, thoshte Pjetër Bogdani, që duhet të shërbejë si mësim për këdo, e sidomos për ne të rinjët. Sepse ne jemi populli. Kur vuan populli, vuajmë edhe unë e ti,vuajmë të gjithë.. Kemi nevojë për rini idealiste, brenga e së cilës është e ardhmja e shtetit tonë, si rrjedhojë e të cilit buron edhe e ardhmja jonë. Por pas brengës, duhet bërë hapi i dytë, por shumë i rëndësishëm: angazhimi. Sepse vetëm kështu ecet drejt ndryshimit dhe vetëm kështu bëhet ndryshimi. Ndryshe, do të përfundojmë vetëm të brengosur e të dëshpëruar.
Shpresojmë që kjo rini asnjëherë të mos dëshpërohet e të nënshtrohet, e gjithnjë të vazhdojë luftimin ndaj të gjitha padrejtësive e pabarazive deri sa të arrijnë në stadin ku nuk vendos dikush tjetër për fatin e tyre. Pra, deri atëherë kur ata vetëvendosin.

Mjaft më të shtypur. Rinia janë shpresa e së ardhmes.

Shkroi: Diana Vrajolli ,maturante në gjimnazin Xhevdet Doda-Prishtinë