Rekomandimet e tryezës së organizuar nga LAA për rastin e PAN’it

Tashmë ka përfunduar tryeza e thirrur ka koalicioni LAA, qëllim i së cilës ishte shqyrtimi i mundësive për tejkalimin e krizës politike në vend.

Deputeti i koalicionit LAA, Driton Selmanaj, ka prezantuar rekomandimet që dolën nga kjo tryezë, transmeton Periskopi.

“Koalicioni i PDK’së ka bllokuar konstituimin e Kuvendit për shkak të mos-shfrytëzimit të drejtës ekskluzive për të kandiduar kandidatin për kryetar Kuvendi. Përkundër dilemave të interpretimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, zbatimi i tij vendimi është i pa-alternativë. Moszbatimi ka pasoja të shumta politike, ekonomike e shoqërore. Kosova rrezikon fonde të shumta për shkak të kësaj zvarritje. Të analizohen mundësitë procedurale për pyetje në Gjykatë Kushtetuese nëse konsumohet e drejta për kandidat të kryetarit të Kuvendit, nëse nuk shfrytëzohet dhe nevojë imperative për ndryshime kushtetuese dhe zgjedhore për shmangien e krizave të tilla në të ardhmen”, tha Selmanaj.

Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues politikë, ekspertë kushtetues dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Hoti: Institucionet të formohen në bazë të Kushtetutës

Avdullah Hoti ka thënë se kjo tryezë duhet të shërbejë si pikënisje për të kërkuar në të ardhmen edhe ndryshime kushtetuese në mënyrë që sjellje të tilla si ato që po bën PAN, në të ardhmen të mos përsëriten më, shkruan Periskopi.

“Kjo tryezë është për të gjetur rrugën e duhur për të zhbllokuar situatën. Gjendja në të cilën jemi dhe sjellja e koalicionit PAN tregon mungesën e përgjegjësisë ndaj qytetarëve të Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar. Përshëndes deklaratën e ambasadorëve të Kuintit që institucionet të krijohen sa më shpejt. Duke u nisur nga kjo gjendje ne kemi organizuar këtë tryezë. Në afat të shkurtër të shohim se si mund të zhbllokohet krijimi i institucioneve të vendit. Pra kemi një gjendje faktike, e jo vetëm hipotetike se si duhet të sjellemi. Besoj që nga kjo tryezë duhet të formalizohet rekomandimi substancial që të shohim se si mund të bëhen ndryshimet kushtetuese që të mos përsëriten situate të tilla”, ka thënë Hoti në fillimin e kësaj tryeze.

Ky është qëndrimi i Vetëvendosjes lidhur me mundësinë e dërgimit të PAN’it në Kushtetuese

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca e ka fajësuar koalicionin PAN për bllokadën institucionale në Kuvend, transmeton Periskopi.

Konjufca se diskutimet në tryezat si ajo e thirrur nga Avdullah Hoti nga koalicioni LAA kontribuojnë në zgjidhjen e kësaj situate.

“Diskutimet e tilla u kontribuojnë zgjidhjes të kësaj situate. Ndodhemi në një bllokadë institucionale, andaj duhet të adresojmë se kush e ka përgjegjësinë kryesore për këtë bllokadë. Të gjithë e kanë kuptuar se teknikisht cili është shkaku i këtij bllokimi. Gjithçka në këto seanca ka qenë e ligjshme. Jemi në situatë ku një grup parlamentar nuk është në nivel të përgjegjësisë publike sipas Kushtetutës. Andaj jemi bllokuar në konstituim të Kuvendit. Nuk po vinë në Kuvend, askush s’mundet me bë kurrgjë”, tha Konjufca.

“Duhet të përcaktohemi nëse do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, se e drejta për ta prezantuar kryeparlamentarin e ka koalicioni apo partia që del fituese e zgjedhjeve. Kërkojmë nga PAN që sa më shpejt të marrin pjesë në seancë e të mos bëhen shkaktarë të bllokadës, që po e bëjnë me qëllim”, tha më tej Konjufca.

Konjufca foli edhe për mundësinë e adresimit të dy pyetjeve në Gjykatën Kushtetuese, se nëse do të konsumohet e drejta e koalicionit PAN për propozimin e kandidatit për kryetar Kuvendi.

“Në kuptimin praktik e komplikon situatën. I japim kohë të panevojshme PAN’it të vazhdojë bllokadën. Kjo do të ishte pasoja e një vendimi të tillë. Gjykata Kushtetuese merr disa ditë për të dhënë përgjigje. Kjo do të zgjaste deri në një muaj, apo më shumë. Dhe kjo nuk na konvenon në kuptimin që parashtruesit e pyetjes bëhen shkaktarë të kohës që PAN do ta shfrytëzonte për të mos e propozuar kryeparlamentarin”, tha Konjufca.

Kusari-Lila: Këto janë humbjet financiare të Kosovës për shkak të aspiratave politike të Veselit dhe Haradinajt

Mimoza Kusari, Kryetarja e ‘Alternativës’, në tryezën e thirrur nga koalicioni LAA ka ritheksuar se si pasojë e mos mbajtjes së seancave, gjegjësishtë krijimit të Kuvendit dhe institucioneve qytetarët do t’i shohin problemet tek muaj më vonë.

Kusari-Lila ka përmendur humbjet financiare që janë krijuar si mungesë e krizës politike.

“4 gusht Kosovës i ka skaduar afati me Fondin Monetar. 15 milionë euro kan humbur, por këto nuk janë të vetmet pasi që 75 mijë eurot  që si kusht e kanë Fondin monetarë si dhe mos konstituimit të Kuvendit. E krejt këto fonde kanë qenë të parapara të shfrytëzohen në bujqësi, përmisim të Infrastrukturës hekurudhore, ministri e shëndetësi”, ka deklaruar Mimoza në tryezën që po vazhdon të mbahet, shkruan Periskopi.

Me këtë bllokadë sipas saj Kosova është afër humbjes së 100 milionë eurove. “Nuk është vetëm kjo lajm i keq.  Gjitha projektet që kanë qenë në proces nuk kan mundur të realizohen. Krejt kjo për shkak të aspiratave të PAN-it”, tha ajo.

Bajrami: PAN po ua dëshmon votuesve se mirëqenia e tyre s’është më e rëndësishme se Veseli e Haradinaj

Ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në tryezën e thirrur nga LAA në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, ka thënë se tashmë edhe votuesit e koalicionit PAN e kanë të qartë se nuk kanë votuar për zhvillim ekomomik, për liberalizim, për stabilitet e për formimin e Ushtrisë, raporton Periskopi.

“PAN po ua dëshmon votuesve të tyre se ata kanë marrë votat për Kadri Veselin. Ne, të gjitha partitë që morëm pjesë në 5 seanca radhazi duke u munduar të gjejmë një zgjidhje të situatës dhe në tentativë për konstituim të Kuvendit, pritëm që PAN të sjellë kandidatin e saj për kryetar dhe ne do mund ta diskutonim. Por, mirëqenia e qytetarëve për PAN’in nuk është më e rëndësishme se Veseli e Haradinaj”, tha Bajrami.

Deputetja e LDK-së, ka thënë se me vonimin e krijimit të institucioneve Kosova ka humbje të madhe financiare.

Ajo ka thënë se mos konstituimi i Kuvendit do të dërgoj në mungesë të mjeteve buxhetore edhe për veteranët e luftës dhe kjo do të sjellë pakënaqësi të madhe.

Tahiri: Kështu duhet të veprohet me rastin e PAN’it

Analisti Ramush Tahiri, në tryezën e organizuar nga LAA lidhur me sjelljet dhe bllokadën e koalicionit PAN për formimin e institucioneve, ka thënë se nuk mund të kërkohen interpretime të reja lidhur me të drejtën e koalicionit fitues për ta propozuar kryetarin e Kuvendit.

“Kjo situatë duhet të kapërcehet por duhet të kapërcehet në bazë të ligjeve. Zakonisht juristët e njohin se në këtë lami të të drejtave nuk ka detyrime, nuk k adetyrime se me çka e detyron dikë sepse prishet parimi i drejtësisë. Unë mendoj, jam në përkrahje se nuk mund të konsumohet sepse nëse janë parimet edhe për të drejtën e koalicionit fitues që ta jep propozimin, nuk mundet”, ka thënë Tahiri.

“Cila do të ishte zgjidhja sipas mendimit tim. E para është që pasi nuk tregohet vullnet, lënda të çohet në Gjykatë Kushtetuese. Në këtë moment nuk ka zgjidhje tjetër. Dalja prej krizës, e dyta jo me harrnim, jo me kontrabandim të votave”, ka thënë Tahiri

‘Çka nëse Lista Serbe një ditë fiton zgjedhjet në Kosovë’

Eksperti i çështjeve kushtetuese, Burim Ejupi, në tryezën e organizuar nga LAA, thotë se problemi kryesor qëndron tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, meqë situata tani është ndryshe.

Ai tha se duhen reforma të thella, meqë duhet pas parasysh se çfarë ndodh nëse një parti që dëshiron falimentimin e Kosovës, del e para.

Ai përmendi mundësinë se çka do të ndodhte nëse Lista Serbe do të dilte e para në zgjedhje.

“Problemi kryesor është tek Gjykata Kushtetuese. Duhet një reformë nga A deri në ZH. Çka ndodh nëse një parti që dëshiron falimentimin e Kosovës del e para? Çka nëse Lista Serbe ish dalë partia e parë. Parti Kundër Kosovës. Çka duhet bërë. Mos me qenë peng i një subjekti. Është mirë me kërkua se a mundet me u konsumua ajo e drejtë, nëse nuk shfrytëzohet. Subjektet politike e zgjidhin këtë situatë. Kushtetuta duhet të jetë me e qartë dhe mos të lë hapësirë për diskutim. Mos të lë hapësirë që një parti anarkiste të bllokoj shtetin në të ardhmen. Kjo krizë ka sjell diçka të mirë. Meqë pas saj, duhet qartësuar këto çështje kushtetuese. Nëse PAN nuk e shfrytëzon të drejtën, cka duhet bërë.”, tha më tej ai./Periskopi