Reagon komuna e Malishevës lidhur me kritiken e kordinatorit të VV-së

Komuna e Malishevës ka reaguar lidhur me kritiken që Alban Krasniqi koordinator i VV në Malishevë i kishte bërë dje. Krasniqi ishte shprehur se projekti  për shënjimin e vendkalimeve të këmbësorëve nuk i është përmbajtur standardeve edhe pse për një gjë të tillë ishin dakorduar zyrtaret komunal me kohën kur u miratua buxheti. Krasniqi theksoi që ky projekt ka qenë kusht i VV-së për ta votuar buxhetin.

Më poshtë e gjeni reagimin e komunës:

Gjatë ditës së djeshme, koordinatori i Lëvizjes Vetëvendosje në Malishevë, Alban Krasniqi, përmes rrjetit social, facebook, ka bërë një deklarim publik, ku ka prezantuar edhe një dokument, lidhur me shenjëzimin e rrugëve dhe vendosjen e sinjalistikës në rrugët në territorin e Komunës së Malishevës. Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit, ju bëjmë më dije se ai dokument i prezantuar nuk është dokument i vlefshëm, ndërsa qeveria Begaj nuk ka dështuar në realizimin e projekteve apo programit, por përkundrazi, dhe të gjitha këto deklarime të Krasniqit, janë me motive politike, në prag të fushatës zgjedhore për zgjedhjet komunale, të cilat do të mbahen më 22 tetor të këtij viti. Këtë të fundit, e deklaron edhe vet Krasniqi, në fund të deklarimit të tij.

Ja bëjmë me dije Krasniqit, se LVV ka vetëm dy plus një anëtarë në Kuvendin e Komunës, ndërsa ajo letër e prezantuar, ka mundur të jenë vërtetë propozime të LVV, por me shumicë të votave në Kuvendin e Komunës janë miratuar tjera propozim projekte dhe jo kjo që prezanton Krasniqi. Qeveria komunale e Malishevës, është e obliguar që ti zbatoj vetëm vendimet e Kuvendit të Komunës dhe jo dëshirat e individëve. Nuk ka asnjë marrëveshje për realizimin e propozimeve apo dëshirave të askujt, e as të Krasniqit, apo të LVV.

Gjithashtu, ja bëjmë me dije Krasniqit, se shenjëzimi në rrugë, bëhet çdo vit, si vendkalimet e këmbësorëve, ashtu edhe vendosja e tabelave të dëmtuara, apo sipas nevojës vendosen edhe tabelat e reja në rrugë dhe të gjitha këto, me propozim të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, miratohen apo nuk miratohen në Kuvendin e Komunës së Malishevës, nga shumica e anëtarëve të kuvendit, që janë 31 anëtarë, e që LVV ka dy plus një anëtarë.

Sipas deklarimit të Krasniqit, qeveria komunale, ka dështuar në përmbushjen e kushteve për siguri të trafik. I nderuar Alban Krasniqi, po ju përkujtojmë se dëshirat e juaja, nuk janë kushte. Kushte për neve janë vetëm vendimet që dalin nga Kuvendi i Komunës dhe vetëm ato jemi të obliguar ti zbatojmë.