Reagon Komuna e Malishevës ndaj televizionit ALSATM të Maqedonisë

kmalisheve

Reagon Komuna e Malishevës ndaj televizionit ALSATM  të Maqedonisë

Komuna e Malishevës ka reaguar ndaj një kronike të përgaditur nga televizioni ALSATM i Maqedonisë, lidhur me rastin tragjik ku humbi jetën Visar Begaj nga Banja e Malishevës.

Më poshtë e gjeni reagimin e plotë:

Mediat në Maqedoni, të mos luajnë me fatkeqësinë e njerëzve tanë

Televizioni ALSATM, me datë 08.09.2016. në ora 16:00, ka publikuar në faqen e saj zyrtare në internet, një kronikë lidhur me ngjarjen tragjike të rrëzimit të aeroplanit, ku në mesin e gjashtë viktimave, ka humbur jetën edhe Visar Begaj, nga Banja e Malishevës. Në këtë kronikë, ky televizion, ka dhënë një të pavërtetë lidhur me Ambasadën dhe ambasadorin e Kosovës në Maqedoni, z.Ylber Hysa, se gjoja “ambasadori nuk ka kërkuar që trupi i pajetë i Visar Begajt, të kthehet në vendlindje”, ndërsa në kronikë përmendet edhe deklarata e Kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Për hir të së vërtetës,  informojmë publikun e gjerë, familjen Begaj dhe të gjitha mediat tjera, se ambsadori Hysa, nga momenti i fatkeqësisë, ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Komunën e Malishevës, kryetarin Begaj dhe familjen Begaj nga Banja. Gjithashtu, edhe ministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka qenë në kontakt me Komunën e Malishevës dhe kryetarin Begaj, dhe për këtë ne i falënderojmë.

Po ashtu, ju bëjmë me dije, të gjitha mediave dhe ALSATM, se ambasadori Hysa, është angazhuar dhe vazhdon të jetë i angazhuar, që trupi i pajetë i Visar Begajt, ti kthehet familjes, në Banjë.

“Ne nuk e dimë dhe nuk e kuptojmë qasjen e këtyre mediave në Maqedoni, përfshi edhe ALSATM,  ndaj nesh, por kërkojmë  nga ambasadori Hysa, që të mos shqetësohet, pasi këto media, kanë mundur ti shpallin të vdekur dy vëllezër dhe nuk kanë qenë në gjendje të kërkojnë falje për shqetësimin dhe dezinformatën, kurse skandali i dytë i tyre, është më i vogël se i pari “, deklaron kryetari Begaj, lidhur me kronikën e televizionit ALSATM.

Mediat në Maqedoni, përfshi edhe televizionin ALSATM, kanë qenë të parat që kanë dezinformuar, se në këtë fatkeqësi, kanë humbur jetën dy vëllezërit Begaj, duke shqetësuar familjen dhe Komunën e Malishevës.