Ramush Haradinaj flet pas takimit që pati me Teuta Rugovën (Foto)

Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj pas qëndrimit në familjen Rugova ka thënë se ishte takim familjar.

Haradinaj nuk ka komentuar asgjë në lidhje me mundësinë qe Teuta Rugova të votojë atë për kryeministër.

Lidhur me këtë nuk ka ende asnjë konfirmim zyrtar, përveç një fotografie të publikuar, në të cilën shihet Haradinaj me ekipin e tij në Rezidencën e Familjes Rugova.

Për këtë çështje, Periskopi ka kontaktuar deputeten Rugova, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Ndërsa, nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova për Periskopin tha se nuk beson se do të ndodhë një gjë e tillë.

“Nuk kam asnjë informacion për këtë çështje, por nuk besoj se do të ndodhë një gjë e tillë”, tha Rugova për Periskopin.

Po ashtu, Periskopi vazhdimisht ka kontaktuar zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për t’i pyetur për këtë çështje, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Ndryshe, Teuta Rugova u përfol si një nga deputetet nga koalicioni LAA që mund ta votojë Haradinajn për kryeministër, për shkak të afërsisë që ky i fundit e kishte pasur me babain e Teutës, ish-presidentin Rugova.

Po ashtu, vazhdimisht ka pasur deklarata nga PAN se tashmë janë arritur votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë, por nuk janë përmendur asnjëherë emrat konkret të deputetëve që mund ta votojnë Haradinajn.

Edhe dy javë pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror Zgjedhor, presidenti Thaçi ende nuk e ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës./Periskopi