Ramiz Lladrovci e quan rrenc e udbash deputetin e Nismës

Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovi i ka reaguar deputetit të Nismës SocialDemokrate Milaim Zekës, për akuzat që një ditë më parë Zeka i drejtoj Lladrovcit, duke thënë se Ramiz Lladrovci e ka akuzuar Hashim Thaçin për një vrasje të rëndë.

Lladrovci përmes një reagimi shumë të gjatë ka thënë se Zeka nuk ka publikuar asnjë dokument deri tash, ngase akuzat që i thotë në media nuk janë të vërtetat raporton GazetaBlic.

Lladrovci i është drejtuar Zekës me terme të rënda, duke e quajtur edhe “rrenc, shpifës e gazetaruc.”

Madje Lladrovci e ka quajtur sërish Zekën si udbash.

Lladrovci ka paralajmëruar se do të ushtroj padi ndaj Zekës.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka deklaruar se Ramiz Lladrovci është propozuar për kryetar të Drenasit përmes shantazheve që ia ka bërë drejtpërdrejt Presidentit Hashim Thaçi.

Më poshtë është reagimi i plotë i Lladrovcit.

Përgjigje Milaim Zekës: Deri kur gazetarucat dhe ish udbasht do të vazhdojnë punën e dreqit

Nuk po i publikoni ato që pretendoni, sepse nuk ekzistojnë, as çanta, as incizime as letra denoncuese. Nuk ekzistojnë, ato janë pjesë e imagjinatës tuaj të sëmurë, të metodës shpif, shpif se diçka mbetet.

Boll Milaim Zeka. Boll. Boll shpife. Edhe sa rrena do të thuash para mediave gjoja se po i thua për herë të parë. Deri kur kështu o gazetaruc?!!

Dhjetëra lajme të rreme në tri fushatat e kaluara i keni promovuar si të vërteta, prej të cilave nuk doli asgjë. Asgjë nuk doli me gjithë paralajmërimet e juaja të subvencionuara. Sepse, ju vetëm shpifni.

Në tri fushata, janë paralajmëruar çanta të zeza me dokumente kompromituese, ishin paralajmëruar video incizime, ishin paralajmëruar letra sekrete e letra denoncimi, por kurrë asnjë herë, nuk i publikuat.

Pse nuk i publikuat deri tash për ato që pretendoni se ekzistojnë, dhe pretendoni të implikoni emrin tim, familjes time dhe udhëheqësit e shtetit.

Nuk mund të publikoni sepse ato që pretendoni, nuk ekzistojnë, as çanta, as incizime as letra denoncuese. Nuk ekzistojnë, ato janë pjesë e imagjinatës tuaj të sëmurë, të metodës shpif, shpif se diçka mbetet.

Milaim Zeka, të kam thënë edhe më herët, ti je një rrenc, je një shpifës. Ti e ndot ambientin e demokracisë me përrallat tua të sëmura që vetëm udbasht dinë t’i përgatisin e promovojnë.

Habitem nga mediat që të japin hapësirë për ta ndotë ambientin me shpifjet tua.

Deri kur gazetarucat dhe ish udbasht do të vazhdojnë punën e dreqit.

Unë po e them jo për herë të parë, me emër:

Milaim Zeka, ti je një rrenc dhe për shpifjet tua do të ushtroj padi!/GazetaBlic/