Rakiq e mban të bllokuar caktimin e kufijve administrativë në Mitrovicë, do largimin e asamblistëve shqiptarë

rakiqiËshtë bërë afër 1 vit qëkur ka nisur procesi i ndarjes administrative të kufijve të Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut.

Por, ende procesi është duke u bllokuar, kryesisht nga kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

Ai ka vendosur disa kushte, në mënyrë që të caktohet kufiri administrativ ndërmjet komunës së tij dhe Mitrovicës së Jugut, raporton KTV.

Nëse kufiri vendoset sipas Pakos së Ahtisaarit në Lagjen Suhodoll, Rakiq ka kërkuar që të largohen nga Kuvendi Komunal 5 shqiptarët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së që janë zgjedhur nga shqiptarët që kanë votuar nga kjo lagje për zgjedhjet lokale.

“S’e kemi nënshkruar për arsye shumë të thjeshtë sepse ende kemi asamblistë shqiptarë, të cilët janë nga Suhodolli e që në procesin zgjedhor ata qytetarë votuan në veri. Kemi përfaqësues politikë që punojnë në komunën e veriut dhe sjellin vendime e në terren kërkohet nga ne të heqim dorë nga një pjesë e komunës. Nëse do ta nënshkruanim këtë atëherë nuk do të respektonim vullnetin zgjedhor të qytetarëve. Mes tjerash, aty ka më shumë banorë shqiptarë sesa serbë”, ka thënë Goran Rakiq.

Për asambleistët shqiptarë të veriut, kjo është absurde sepse thonë se askush nuk e di se nga cila lagje ka marrë vota, që janë të fshehta.

Caktimi i kufijve administrativ të komunave rrjedh nga marrëveshja e 25 gushtit e vitit 2015 në Bruksel.