Ragip Begaj edhe njëherë ulët në bankën e të akuzuarve

Dje është mbajtur seanca e dytë gjyqësore në Gjykatën Themelore të Gjakovës ndaj kryetarit të komunës së Malishevës Ragip Begaj.

Ndaj kryetarit të  komunës së Malishevës, Ragip Begaj, gjykata ka ngritur akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

Për herë të dytë Prokuroria Speciale e Kosovës po e akuzon Begajn për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, kryetari i Malishevës, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, e ka dëmtuar buxhetin e kësaj komune.

Aktakuza e ngarkon drejtuesin e komunës së Malishevës që, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, e ka dëmtuar buxhetin e kësaj komune.

“…duke e dëmtuar buxhetin e Komunës së Malishevës ka angazhuar Labinot Mazrekun në cilësinë e Menaxherit të Prokurimit në kuadër të Drejtorisë për Administratë të Përgjithshme, në Komunën e Malishevës dhe me të njëjtin më datë 07.02.2014, ka lidhë kontratë mbi vepër në kohëzgjatje prej 5 muaj dhe vazhdimin e saj prej datës 08.07.2014 deri më datë 09.09.2014, me të cilin rast para lidhjes së kontratës kjo komunë kishte të punësuar menaxherin e prokurimit dhe zyrtarë të licencuar të cilët posedonin certifikata të prokurimit për kryerjen e këtyre shërbimeve”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria pretendon se Ragip Begaj kishte ndërmarrë disa masa ndaj zyrtarëve të prokurimit në kundërshtim me ligjin lidhur me disa keqpërdorime në zyrën e prokurimit.

“…po ashtu ky i pandehur edhe pse e ka kuptuar se në zyrën e Haxhi Krasniqit (menaxherit të prokurimit) ka pasur keqpërdorime, respektivisht ka humbur dosja e operatorit ekonomik “SHPK ALBAKOS&NNSH KORBEN” Pejë-Gjakovë, i cili operator kishte parashtruar ankesë në OSHP…me të cilin rast i pandehuri pas pranimit të vendimit në procedurë të shpejtuar pezullon të gjithë zyrtarët e prokurimit nga puna me 50% pagesë prej datës 20.08.2014, edhe pse dosja ishte zbuluar dy ditë pas pranimit të vendimit dhe atë në zyrën e Menaxherit të Prokurimit edhe pasi që ky i pandehur kishte hetuar duke përfshirë këtu edhe përmes regjistrimeve të kamerave në zyrën e prokurimit lidhur me çështjen e dosjes së humbur…”, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza ndaj Begajt është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale që i ka propozuar gjykatës shpalljen fajtor dhe dënimin e të akuzuarit sipas ligjit, ndonëse për këtë rast Ragip Begaj është deklaruar i pa fajshëm.