Qytetarët e aktivistë marshuan kundër aksidenteve në komunikacion

20151115152240951646

Të brengosur nga rastet e shumta me aksidente në komunikacion, një grup qytetarësh marshoi sot nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek ai “Skënderbeu” në Prishtinë. Qëllimi i tyre ishte të përcjellin mesazh vetdijësues tek qytetarët dhe institucionet, për kujdesin në komunikacion.

Të dëshpëruar nga numri i madh i viktimave të trafikut rrugor këtë vit, ata thanë se institucionet duhet të punojnë më shumë dhe qytetarët duhet të jenë më të kujdesshëm në rrugë, transmeton kp.

Muhamet Krasniqi, i cili foli në emër të qytetarëve, tha se të gjithë, përshirë institucionet dhe qytetarët, duhet të punojnë për sigurinë në rrugë.

“Besoj që kështu do t’i kontribuojmë sigurisë në rrugë dhe t’i detyrojmë të gjithë, institucionet tona dhe qytetarët, qytetarët të jenë në funksion të ligjit të plotë, ndërsa institucionet të punojnë më efektshëm për një siguri për të gjithë pjesëmarrësit në rrugë”, tha ai.

“Thuaj jo krimeve në rrugë” ishte pankarta që e mbanin qytetarët në duar teksa marshonin në qendër të Prishtinës. Atyre iu bashkuan edhe një grup çiklistësh.

Edhe organizata “Nisma Vetëdijësuese për çiklizëm” e shënoi ditën për përkujtimin e viktimave të aksidenteve në rrugë.

Ata kishin improvizuar një rast aksidenti në rrugë, ku përsosni kishte përfunduar me fatalitet, dhe e kishin vendosur pranë monumentit “New Born”.

Nga aty, aktivitetin e vazhduan duke marshuar me biçikleta drejtë magjistrales Prishtinë-Pejë, që është rruga më e frekuentuar në Kosovë.

Besnik Ejupi nga kjo organizatë, tha se numri viktimave në aksidente rrugore për këtë vit është shumë shqetësues.

“Të marshojmë në rrugën magjistrale Prishtinë-Peje, pra rrugës më të frekuentuar të Republikës së Kosovës dhe kësisoj të japim mesazh vetëdijësues të gjithëve në komunikacion që të respektohen rregullat e komunikacionit por në të njëjtën kohë të kujdesemi më shumë gjatë komunikacionit. Është trishtuese këtë vit janë 112 viktima të trafikut rrugor, është tmerruese për shkak të numrit tepër të madh, kështu ne si armikun kryesor tani e shohim moskujdesin e shtuar në trafik”, tha ai.

Çiklistët ftuan të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të kenë kujdes të shtuar.

Dita botërore e përkujtimit të viktimave të aksidenteve rrugore ka nisë të shënohet që nga viti 1995 në Evropë, ku në të dielën e tretë të muajit nëntor shënohet kjo ditë.