Qeveria nënshkruan pushtetin e dyfishtë (zajednicën)

isa_aleksanderPas një dite mjaft të gjatë të bisedimeve në nivele të ndryshme në Bruksel, të martën mbrëma është arritur pajtimi dhe janë nënshkruar katër marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, për katër temat rreth të cilave palët kishin dështuar të binin dakord në dy raundet e kaluara të negociatave, shkruan sot Koha Ditore.

Nga burimet e ndryshme në fakt është marrë vesh se dialogu mes dy palëve, të udhëhequra nga kryeministri Isa Mustafa në rastin e Kosovës dhe Aleksandar Vuçiq në atë të Serbisë, kishte zgjatur shumë pak, por më shumë gjatë ditës ka pasur konsultime të palëve me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe me diplomatë të vendeve tjera sesa takime direkte mes palëve.

Përfaqësues të delegacionit serb, siç ishte rasti edhe në raundet e mëparshme të dialogut, kohë pas kohe njoftonin gazetarët e tyre për rrjedhën e takimeve, ndërkohë që kryeministri i Kosovës, Mustafa, foli vetëm pasi mbaroi takimi në mbrëmje.

Rreth temës kryesore, asaj të kompetencave të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Mustafa tha se nuk do të kenë kompetenca ekzekutive, ndërkohë që pala serbe është duke thënë të kundërtën.

Bashkimi Evropian, si zakonisht, nuk ka dhënë asnjë sqarim rreth detajeve të asaj që palët kanë nënshkruar. Në prononcimin e saj përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, vetëm i ka përmendur një nga një marrëveshjet e arritura dhe i ka quajtur ato si sukses të madh.

Delegacioni i Serbisë, që nga kryeministri, Aleksandar Vuçiq, e deri te pjesëtarët e tjerë, ka qenë shumë më i zëshëm në prononcimet publike, madje edhe euforik për rezultatet e arritura në këtë dialog. Një prej tyre, Marko Gjuriq, madje u ka thënë medieve serbe se “nëse flasim me fjalor sportiv, Serbia ka fituar me rezultatin 5:0!”