Qeveria, me dy faqe raport për kufirin me Malin e Zi

demarkacioniHiç më shumë se dy faqe është përmbajtja e gjithë raportit qeveritar që arsyeton vijën kufitare me Malin e Zi, e cila, sipas opozitës dhe banorëve lokalë, ia tkurrë territorin Kosovës për 12 mijë hektarë. Firmosja e marrëveshjes për kufirin pritet të bëhet këtë javë në Vjenë, shkruan sot Koha Ditore.

Gazeta ka siguruar raportin e hartuar nga Komisioni për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror. Kabineti Qeveritar e ka miratuar atë dhjetë ditë më parë.

Menjëherë pas kësaj, ka kërkuar nga presidentja Atifete Jahjaga që të autorizohet zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, që është edhe ministër i Punëve të Jashtme, si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, për ta bërë nënshkrimin e marrëveshjes për kufi.

Në Presidencë kanë refuzuar të tregojnë nëse është bërë ky autorizim. Gjatë ditës, Zyra për Informim nuk ka kthyer përgjigje në kontekst të pyetjeve që kanë të bëjnë me autorizimin dhe kohën kur është planifikuar të firmoset marrëveshja.

Por mediet në Mal të Zi kanë raportuar se firmat do të vihen në margjina të samitit për Ballkanin Perëndimor që mbahet këtë të enjte në Vjenë të Austrisë.

Pritet të ndodh kjo, pavarësisht se në rajonin e Dukagjinit janë ndërmarrë shumë veprime për ta kundërshtuar vijën kufitare, për të cilën është dakorduar Qeveria.