Warning: session_start(): Cannot send session cookie - headers already sent by (output started at /home/besnikzki/webapps/malishevapresswp2/index.php:52) in /home/besnikzki/webapps/malishevapresswp2/wp-content/plugins/wcp-openweather/agp-core/classes/persistence/session/Agp_SessionAbstract.class.php on line 10

Warning: session_start(): Cannot send session cache limiter - headers already sent (output started at /home/besnikzki/webapps/malishevapresswp2/index.php:52) in /home/besnikzki/webapps/malishevapresswp2/wp-content/plugins/wcp-openweather/agp-core/classes/persistence/session/Agp_SessionAbstract.class.php on line 10

Warning: Cannot modify header information - headers already sent by (output started at /home/besnikzki/webapps/malishevapresswp2/index.php:52) in /home/besnikzki/webapps/malishevapresswp2/wp-content/plugins/wcp-openweather/classes/UserOptions.class.php on line 90
Qeveria mban sekret pushimin luksoz të kryeministrit Haradinaj – Malisheva Press

Qeveria mban sekret pushimin luksoz të kryeministrit Haradinaj

Patë pasi ia rriti rrogën vetës dhe tërë kabinetit qeveritar, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj udhëtoi për në Cyrih të Zvicrës bashkë me gruan e tij, Anita Haradinaj dhe fëmijët. Sot në media u raportua se nëntë ditët e pushimeve, familja Haradinaj i kaloi në fshatin turistik Sant Moritz të Zvicrës. Insajderi raportoi se Ramush Haradinaj dhe familja e tij pushuan në hotelin “Carlton”. Bazuar në çmimet publike të hotel, del se pushimet e kryeministrit mund të kenë kushtuar mbi 80 mijë franga.k di

Qendra e Skijimit në Sant Moritz të Zvicrës është më e shtrenjta në botë. Hoteli “Carlton” i ndërtuar në stilin rus në alpet zvicerane përballë një liqeni, është në mesin e pesë hoteleve më të mira dhe më të shtrenjta në këtë qendër.
Aty pushojnë elita botërore e miliarderëve nga mbarë bota, shkruan Periskopi.

Saint Moritz është fshat turistik në juglindje të Zvicrës, pjesë e Kantonit të Grisonsit. Ky fshat shtrihet në vargmalet Albula, me një lartësi prej 1 mijë e 800 metrave mbi nivelin e detit. Ndërkaq, hoteli “Carlton” është ndërtuar më 1913. Ka 60 suita me pamje nga liqeni. Lidhur me hotelin ekziston edhe një legjendë. Thuhet se është ndërtuar për të shërbyer si rezidencë e Carit të Rusisë, Nikolasit të Dytë.

Ky fshat turistik, më së shumti popullohet nga miliarderët rusë që njihen për luksin e tyre të shfrenuar.

Në të njëjtë vend pushoi edhe kryeministri Haradinaj, i cili ishte së bashku me bashkëshorten Anitën, tre fëmijët dhe djalin e vëllait të tij, Dautit.

Në hotelin “Carlton”, familja Haradinaj pushoi nga 25 dhjetori 2017 deri më 2 janar 2018, sipas burimeve të Insajderit.

Në këtë hotel çmimet arrijnë deri në pesë mijë frang vetëm për një natë, ndërsa dhoma më e lirë është një mijë e 300 franga.

Insajderi raportoi se kryeministri i një prej shteteve më të varfra në Evropë – Kosovës, është vendosur në suitën e quajtur “Czar” prej 160 metrash katror. Në kohën e pushimeve të vitit të ri, çmimi i kësaj suite ka qenë fiks 40 mijë e 600 franga për shtatë ditë.

Përveç përllogaritjeve që u shfaqen në media, nuk ka ndonjë informatë tjetër se sa ka paguar kryeministri Haradinaj për këto pushime në fshatin luksoz zviceran.

Për këtë çështje, Periskopi ka kontaktuar shefin e Zyrës për Informim në Qeverinë “Haradinaj”, Halil Matoshi.

Ai dha përgjigjen e njëjtë, si medieve tjera.

Matoshi shkurt ka thënë për Periskopin se kryeministri nuk ka qenë me agjendë shtetërore, por private.

“Kryeministri nuk ka qenë me agjende shtetërore, por private dhe familjare. Institucioni nuk bartë asnjë kosto materiale”.

Pavarësisht që Institucioni që udhëhiqet nga Haradinaj po i mban sekret pushimet luksoze të tij, kryeministri i vendit më të varfër në Evropë – Kosovës, e ka për obligim që t’u sqarojë qytetarëve se ku ka pushuar, sa ka qenë shuma e shpenzimeve dhe nga kush janë paguar këto shpenzime.

Për këtë çështje, Periskopi ka kontaktuar disa herë edhe gruan e kryeministrit, Anita Haradinaj, por ajo nuk është përgjigjur, pavarësisht insistimeve të vazhdueshme.

U kontaktuan edhe këshilltarë të tjerë të kryeministrit, por asnjë nuk u përgjigjën.

Ndërkaq, nga të ardhurat e deklaruara në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Familja Haradinaj merr rreth 142 mijë euro në vit.

Të ardhurat mujore të kryeministrit Haradinaj nga paga, qiraja dhe paga e bashkëshortes që peshon 12 mijë e 400 euro në muaj nuk i mbulojnë këto shpenzime. Para të kursyera në bankë, Haradinaj ka deklaruar se i ka 20 mijë e 581 mijë euro.

Ndërkaq, të hyrat vjetore të Ramush Hardinajt dhe bashkëshortes janë të mëdha, mirëpo pushimet nëntë ditore për një familje gjashtë anëtarëshe në hotelin, “Carlton” në Saint Moritz kushtojnë sa të hyrat gjashtëmujore të kryeministrit.

Vetëm nga pagat, çifti Haradinaj merr rreth 69 mijë euro në vit, derisa nga qiraja e shtëpisë merr 73,469 euro në vit.

Sipas këtyre llogaritjeve, është e pamundur që familja Haradinaj të paguajë shpenzimet vetëm nga të ardhurat e tyre.

Në Ligjin Nr. 03/L-151 për Deklarimin, Prejardhjen, Kontrollin e Pasurisë dhe të dhuratave të Zyrtarëve të Lartë Publikë thuhet se personi zyrtar nuk mund të pranojë dhurata të rastit, vlera e përgjithshme e të cilave kalon vlerën e 500 eurove brenda një viti.

Sipas të njëjtit Ligj, personi zyrtar e ka të ndaluar të pranojë dhurata monetare.

“3. Dhuratat e rastit me vlerë të vogël konsiderohen dhuratat e dhëna në momente të caktuara, vlera e të cilave nuk kalon shumën prej pesëdhjetë (50) Euro, ose vlera e përgjithshme e tyre nuk kalon vlerën prej njëqind (100) Euro në vit, nëse janë dhënë nga i njëjti person. 4. Personi zyrtar nuk mund të pranojë dhurata të rastit vlera e përgjithshme e të cilave kalon vlerën pesëqind (500) Euro brenda një viti. 5. Personi zyrtar nuk mund të pranojë dhurata monetare. 6. Kur personi zyrtar dyshon, nëse mund apo jo të pranojë dhuratë, ai duhet ta marrë miratimin e eprorit të tij. Në rast se personi zyrtar është drejtues institucioni, duhet ta marrë miratimin drejtpërdrejt nga Agjencia”, thuhet ndër të tjerash në këtë Ligj, shkruan Periskopi.

Ndonëse Qeveria vazhdon ta mbajë sekret, Haradinaj duhet të jap llogari për shpenzimet marramendëse në pushimet luksoze.

Para 14 viteve, ish-kryeministri i Kosovës nga radhët e AAK-së, Bajram Kosumi për arsye urgjente ishte kthyer me avion privat nga Turqia në Kosovë. Teksa po pushonte në Turqi, atij iu deshtë të kthehej në Kosovë për t’u takuar me përfaqësuesin e OKB’së për Kosovë, Kai Eide.

Ende nuk dihet se kush ia kishte paguar avionin privat atij. Kosumi, shkurt ai kishte thënë se disa miq të tij. Aq shumë bujë mediale kishte bërë rasti i Kosumit, sa që nuk kishte vonuar shumë dhe ai ishte rrëzuar nga pozita e kryeministrit.

Sërish kryeministër i AAK-së me shpenzime luksoze, kësaj radhe për pushime në një nga vendet më të shtrenjta në botë.

Kujtojmë se kryeministri Haradinaj pak kohë para se të nisej në pushime kishte marrë vendim që t’ia dyfishojë vetës pagën, nga 1.500 euro në muaj, në 3.000 euro. Kur e arsyetoi këtë vendim, Haradinaj tha se 1.500 euro janë pak për një kryeministër./Periskopi