Qeveria ende s’e di kush është fajtori kryesor i ndotjes së ajrit

Ministrja e Mjedisit, Albena Reshitaj, ka thënë se ende nuk është gjetur kush është fajtori kryesor për ndotjen e ajrit në vend.

Ajo ka thënë në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor se ka kërkuar të bëhen vlerësime të tilla, por se ende s’ka marrë përgjigje të qartë.

Reshitaj ka bërë të ditur se sot po definohet se si do të reduktohet hyrja e veturave në Prishtinë.

“E mira do të ishte një plan që të mos lejojmë përdorimin në mënyrë ilegale të thëngjillit për ngrohje. T’i marrim masat që vitin e ardhshëm të mos kemi këso problemesh, por të lejohet vetëm eksportimi i tij, mirëpo jo edhe shitja te qytetarët”, ka thënë ajo.

Ilir Morina, kryeshef në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit, ka thënë se ndotja është rezultat i situatës meteorologjike.

“Burimet janë të njëjta. Sa më shumë ftohet moti, aq më e lartë është ndotja. Në mungesë të erës, po qëndron ndotja e lartë. 30 për qind termocentralet, industria tjetër shitoret. Shkollat po përdorin naftë dhe po shikojmë kualitetin e tyre. 30 për qind automjetet dhe 30 për qind burime që s’janë të pranishme gjatë verës sidomos në Prishtinë”, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se vetëm 7 për qind e institucioneve arsimore përdorin produkte miqësore ndaj ambientit.

Arben Gjukaj, drejtori i KEK-ut, ka thënë se ndotësi kryesor janë deponitë e hapura.

“Djegien e bëjmë në mënyrë të kontrolluar. I raportojmë edhe komunës edhe ministrisë. I kemi asgjësuar materialet e rrezikshme. Kemi mbuluar mbi 99 për qind të deponive të hirit”, ka thënë ai duke shtuar se sa i përket sulfurit, Kosova s’ka problem sepse thëngjilli që përdoret “ka shumë pak sulfur dhe plotëson normat evropiane”.

Sipas tyre, në dhjetor Obiliqi ka qenë më pak i ndotur se Prishtina. “Tymi nuk po vjen në Prishtinë, por po shkon drejt Plemetinit. Ndotja po vjen prej minierave që s’është mbyll e tëra dhe që është afër autostradës ‘Ibrahim Rugova’”.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ka thënë se kanë kërkuar qysh nga 2009-a që të hiqen veturat e vjetra që hyjnë në qytet.

“Prej vitit 2016 ka pasur hospitalizim, por ka qenë e vështirë të konstatohet nëse ka ardhur vetëm nga ndotja”, ka thënë ai.

Avokati i Popullit është ankuar për moszbatim të ligjeve në fuqi, duke filluar prej masave për ndotësit e mëdhenj

Sipas tij, inspektorët në vend që të shqiptojnë gjoba, ata i kanë dërguar lëndët nëpër gjykata.