Qeveria bisedon me Listën Serbe për themelimin e FAK-ut

fsk

Qeveria e Kosovës thotë të mos ketë humbur shpresat për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, raporton KTV.

Brenda pak ditësh, qeveria synon t’i rinisë bisedimet me përfaqësuesit e listës serbe, për të siguruar votën e tyre pro FAK-ut.

Megjithëse përfaqësuesit serbë kanë bërë të ditur se nuk do të votojnë për themelimin e FAK-ut, qeveria beson se pas problemeve të brendshme që ka pasur lista serbe, mund të arrihet kompromisi, transmeton Koha.net.

Por, anëtari i komisionit për punë të brendshme, Rexhep Selimi, thotë se kjo qeveri ka dështuar t’i formojë Forcat e Armatosura.

Selimi thotë se jo vetëm bllokimi vjen nga Lista Serbe, porse, thotë se qeveria ka treguar se në një të ardhme të afërt nuk e ka ndërmend të rinisë procesin për shndërrimin në ushtri të FSK-së.

Sipas Selimit, me këtë buxhet që ka paraparë qeveria nuk është i mundshëm në asnjë formë krijimi i FAK-ut. Në buxhetin për vitin 2016, FSK-ja do t’i ketë vetëm 1.2 milion euro më shumë.