Pushteti agresiv dhe shteti në gjendje “kome”

FotoShkrim nga: Veton Zogaj!
Po kalon gati edhe dekadën e dytë që nga çlirimi i vendit dhe gati një dekadë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ndërsa shteti dhe shoqëria vazhdon të mbetët në gjendje të mjerueshme dhe në kollapsin ekzistencial të saj. Kjo pasi që në Kosovë për gjatë tërë kësaj kohe ka dominuar vetëm pushteti i parasë, pushteti i të fortit, pushteti i shantazhit, i mashtrimit dhe i krimit të organizuar, kupola e të cilit ishte dhe vazhdon akoma të jetë e instaluar në krye të institucioneve të vendit!

Dhe si pasojë e kësaj kapje të shtetit, populli i Kosovë nuk e ka ndier për asnjë moment praninë e institucioneve të shtetit, qoftë brenda tij dhe aq më pak jashtë tij, institucione këto të cilat në rrethana normale do duhej t’i shërbenin jetës së qytetarëve. Përkundrazi kanë qenë vet qytetarët të cilët me angazhimin e tyre, me kontributin e tyre e kanë mbajtur disi të pa rrënuar në tërësi këtë shtet.
Kjo kapje e shtetit nga pushteti mjerisht ende nuk ka përfunduar, për pasojë Kosova vazhdon edhe sot të jetë peng i bandave kriminale, i pushtetit të korruptuar e kriminal, i cili i ka shndërruar institucionet e vendit në pronë të tij dhe në shërbim të interesave të tij. Kjo kast politike kriminale që vazhdimisht ka qenë në pushtet nuk është përpjekur për asnjë moment që ta ndërtoj shtetin dhe t’i fuqizoi institucionet, përkundrazi mbi kurrizin e qytetarëve dhe në dëm të interesave shtetërore e kombëtare e ka ndërtuar “piramidën” kriminale shtet-rrënuese të saj.
Që nga e çlirimi i vendit, shqiptarët fituan si të thuash ndjenjën dhe entuziazmin e të qenit të lirë, por shumë shpejt ata u përballën me një pushtet kriminal ata humbën pronat e tyre, vendi humbi pronat publike, shumë ndërmarrje dhe asete shtetërore të cilat dikur ishin bazë e ekonomisë dhe e të ardhurave të qytetarëve, shumë shpejt u privatizuan dhe u përvetësuan nga kjo kast politike. Sikur të mos mjaftonte më kaq nga ky pushtet mizor u shkatërrua në tërësi sistemi i arsimit dhe i shëndetësisë, nga shtypja dhe diktatura e vazhdueshme, qytetarët humbën dinjitetin e tyre dhe jo rrallë të përballur me mizorit e pushtetit shumë prej tyre humbën edhe jetën. Ky kollaps shtetëror në të cilin ndodhemi ne, nuk i ngjan aspak thelbit demokraci, për nga mënyra siç është trajtuar shoqëria kosovare dhe po vazhdon të trajtohet nga ky pushtet nuk mund të përkufizohet ndryshe veçse një anarki absolute, fytyrën e vërtetë të të cilës në çdo formë po e shpërfaq dhe po e zbaton ky pushtet.
Si pasojë e kësaj është ngulfatur deri në këtë pikë jeta e qytetarëve, ky pushtet mizor asnjëherë nuk e ka përfillur mendimin qytetarë, nuk e ka vlerësuar mundin dhe sakrificën e gjeneratave të tëra që kanë kontribuar për çlirimin e vendit dhe për bashkimin kombëtar, përkundrazi me çdo formë dhe me çdo mjetë e ka shtypur çdo përpjekje qytetarë e cila ishte në interes të përbashkët dhe në interes të forcimit të kombit shqiptar në përgjithësi.
Megjithatë edhe përkundër mjerimit social, mohimit të lirisë dhe shtypjes diktatoriale, prapë së prapë populli i Kosovës ka filluar të zgjohet dhe tanimë nuk qëndron i heshtur dhe i përkulur përballë këtij pushteti mizor. Sot, si asnjëherë më parë populli i Kosovës është zgjuar dhe është mësuar të flas me zërin e arsyes, duke kundërshtuar çdo formë të manipulimit dhe çdo tentativë të kontrabandimit që ky pushtet i’a sërvin. Natyrisht ky zgjim i popullit është një fillim premtues dhe shpresëdhënës për ditë të mira për mbar kombin shqiptar.

Ky zë qytetar i cili dje ishte kundër pushtuesit dhe që rezultoi me çlirimin e Kosovës, pashmangshëm sot do të jetë triumfues edhe kundër kësaj kaste të korruptuar e të shantazhuar e cila me çdo kusht po bënë përpjekje që ta zhbëj edhe këtë pak shtet dhe këtë pak territor të Kosovës që ka mbet.
Zëri i qytetarëve të cilët janë zgjuar për të kërkuar liri, barazi dhe drejtësi, padyshim që do të jetë zë triumfues ndaj këtij mjerimi dhe kësaj kanosje ekzistenciale të cilën na e kanë sjellë pushtetarët tanë.

Ky zë qytetarë do të jetë përpjekje triumfuese e cila do t’i jap fund nëpërkëmbjes, shtypjes dhe korrupsionit, veprime këto të cilat janë vepra të kësaj kaste oligarkike pushtetare. Zgjimi i qytetarëve për t’i çrrënjosur përfundimisht mbetjet e fundit të kësaj diktature, është motiv dhe vullnet shtesë që tregon se është koha dhe momenti i fundit që vendit t’i kthehet shpresa dhe qytetarëve t’i kthehet dinjiteti, është koha dhe momenti që sovraniteti absolut ti kthehet popullit i cili vet do të vetëvendos për rrugëtimin e tij dhe për të ardhmen e vendit të tij.