Punëtorët fizik më të rrezikuarit nga moti i nxehtë

Instituti Hidrometrologjik i Kosovës, ka paralajmëruar se ditëve të ardhshme do të ketë ngritje të temperaturave deri ne 37 gradë celsius. Ndërsa më të rrezikuarit nga këto temperatura janë punëtorët që punojnë punë fizike në ambiente të hapura. Zyrtarë të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thonë se punëtorëve po ju bëhet e pa drejtë me orarin e gjatë të punës në këto ditë të nxehta të verës.

Në këto dite të nxehta kur temperaturat pritet të arrijnë deri në 37 gradë më të rrezikuarit janë punëtorët fizik që punojnë në ndërtimtari, e në veçanti ata që punojnë në ndërtesa shumë katëshe dhe pa mbrojtje adekuate. Dr. Isuf Bajrami, shef i Urgjencës në Prishtine, thotë se fatmirësisht deri me tani nuk kemi pasur raste të punëtorëve me komplikime, por ai rekomandon punëtoret që të kenë kujdes të shtuar me veshjen, ushqimin dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje.

“Rrobat duhet të jenë verore, të lirshme jo të shtrënguara më pulla, të mbajnë sheshir që mbron nga rrezet e dellit, të mbajnë syze kundër diellit, të përdorin sa me tepër  lëngje  në intervale të shkurtra  kohore 20-30 minuta, të përdorin edhe ushqime sa me të lehta sallata, supa etj”, tha Bajrami.

Ndërsa, Avni Hajdini,  Kryetar i Federatës sindikale të Ndërtimtarisë, thotë për Radio Kosovën së punëtoreve po u bëhet e padrejtë, në vend që të shkurtohet orari i punës në këto dite të nxehta, atyre po u zgjatet, në më shumë se 12 orë nga punëdhënësit e tyre. Hajdini tha se ky veprim  paraqet rrezik për shëndetin e këtyre  punëtoreve.

“Sepse nga situata klimatike mund të pësojnë edhe punëtorët, mund të vijnë deri tek fataliteti, në këto temperatura 38 deri 40 gradë celsius, punëtorët mundë të kenë marramendje në skele të cilat punojnë punëtorët, nga këto temperatura të larta punëtoret mund të bien nga skelet dhe të ndodhë fataliteti të vdes”, tha Hajdini.

Hajdini nder të tjera tha që Inspektorati i Punës duhet të marr hapa konkret për mbrojtjen e punëtoreve në vendet e punës. Mirëpo, Basri Ibrahimi, kryeinspektor i punës tha për Radion tonë , që nuk konsideron se ka ndonjë rrezik për punëtorët pasi që asnjë organ kompetent  nuk ka dal me ndonjë vlerësim se mund të ketë rreziqe nga temperaturat aktuale.

“Deri tani nuk ka dal ndonjë organ i tillë, më ndonjë vlerësim të tillë, prandaj për neve janë kushte normale të punës, dhe ne nuk kemi kompetencë me ndalua punën ose me kërkua  dikujt, ndonjë kompanie me i thënë që mos puno në këtë kohë”,tha Ibrahimi.

BSPK thotë që  në Kosovë nuk përfillet ligji që është i aprovuar nga Parlamenti i Kosovës, për sigurinë e punëtorëve në punë, sipas tyre ligji ekziston por nuk po zbatohet fare nga punëdhënësit e tyre, sidomos në këto temperatura të larta.