Protesta e tretë “Drejtësi për Astritin”

drejtesi-780x439Është thirrur edhe protesta e tretë nga shoqëria civile e cila ka për qëllim vënien në vend të drejtësisë dhe zbardhjen e vdekjes së dyshimtë të Astrit Deharit.

Shoqëria civile, përmes kësaj proteste të thirrur për sot në orën 10:00 para ndërtesës së Qeverisë, kërkon përgjegjësi për reagimin/përgënjeshtrimin e deklaratës të Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili thotë se peticioni me nënshkrimet e qytetarëve “Drejtësi për Astritin”, nuk adresohet për Kryesinë dhe për mbajtjen e një seance parlamentare.

Kërkohet hetim i pavarur dhe transparent për rastin, dorëheqje e udhëheqësve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për mosgatishmërinë morale e ligjore për të kërkuar dhe dhënë përgjegjësi.

Shoqëria civile gjithashtu kërkon fillimin e menjëhershëm të ndjekjes penale të përgjegjësve që dështuan të garantojnë sigurinë e jetës së Astritit në institucionet e shtetit dhe shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës në tërë zinxhirin hierarkik për mostrajtimin dinjitoz të Astritit në qendrën e paraburgimit edhe pas vdekjes së tij.