‘Pronto’ drejtësia- Këto janë skandalet që ndoqën vitin 2017

Viti 2017 ishte i mbushur me skandale që konfirmuan dyshimet e shtuara të qytetarëve se sistemi i drejtësisë është i lidhur ngushtë me politikën.

“Kadale, mos u nxito, se ai njeri na vyn shumë”. Këto janë fjalët që i kishte thënë Kadri Veseli për kryeprokurorin e Shtetit, Aleksander Lumezi, gjatë një bisede telefonike me Adem Grabovcin, në vitin 2011. Ky muhabet ishte bërë derisa sa po konsultoheshin për angazhimin e mundshëm të Lumezit, atëkohë kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, në Partinë Demokratike të Kosovës. “Burrë më i mirë nuk ka”, i thotë Veseli bashkëpartiakut të tij për Lumezin, derisa shpreh dilemën se kah po iu duhet më shumë – në PDK apo në Prokurori. Bisedat Veseli-Grabovci, bashkë me ato të Grabovcit dhe presidentit Thaqi dhe deputetit të PDK-së, Besim Beqaj, u publikuan pak kohë më parë nga Kohavizioni, në serinë e re të përgjimeve që dalin në publik, të mbiquajtura “Pronto 3”. Përgjimet duket qartë se janë pjesë nga dosja hetimore e EULEX-it, që mbulon vitet 2008-2012 të hetimeve që po zhvilloheshin atëkohë rreth Fatmir Limajt për rastin “MTPT”.  Sikur edhe “Pronoto 1” e “Pronto 2”, edhe këto dëshmojnë për mënyren e funksionimit joformal dhe shpeshherë kundër rregullave, procedurave po edhe ligjeve të krerëve të partisë deri vonë më të madhe në Kosovë.

Në rastin e “Pronto 3” del në pah një lidhje e dyshuar mes Lumezit dhe strukturave të larta të PDK-së, që vë në dyshim edhe integritetin e tij, si kreu i institucionit më të lartë të drejtësisë. Dhe kështu duke e vënë në pikëpyetje integritetin e tërë sistemit prokurorial, shkruan Koha Ditore.

Kyreprokurori

Kryeprokurori Lumezi ishte në epiqendër të skandalit tjetër të madh të këtij viti: dyshimeve për falsifikim të provimit të jurisprudencës. Një pohim i ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, i cili publikisht akuzoi kryeprokurorin Lumezi se dosjen e tij e ka të falsifikuar dhe se nuk e ka të dhënë provimin e jurisprudencës, është hulumentuar nga KTV-ja dhe emisioni “Betimi për drejtësi”, të cilët me ditë të tëera kanë publikuar dëshmi që lenë të kuptohet se diçka nuk ishte në rregull me provimin që Lumezi insistonte se e kishte dhënë, por që e kishte dosjen e mangët dhe të manipuluar.Bazuar në hulumentimin, Zymer Krasniqi nga Deçani është emri mbi të cilin është shënuar emri Lumezit në dosjen e kryeprokurorit, e cila gjendej në UP. Emri i tij vërehet nën efektin e dritës. Pas prezantimit të këtij fakti Lumezi prezantoi certifikatën e provimit të jurisprudencës, ku shkruan sse atë e ka dhënë me 25 prill 1991. E për të dëshmuar vërtetësinë e certifikatës së tij, Lumezi doli dhe tha se ka siguruar një vërtetim nga ish-sekretari krahinor i Administratës dhe Judikaturës, Gjorgje Aksiq, i cili ishte emëruar në këtë pozitë gjatë kohës së masave të dhunshme, pas dëbimit të punëtorëve shqiptarë.Hetimet për dyshimet e falsifikimit të dosjes së provimit të jursprudencës u zhvilluan nga prokurori Kujtim Munishi, i cili doli se kishte qenë këshilltar i kryeprokurorit Lumezi. U tha se hetimet po zhvilloheshin nën mbikëqyrjen e EULEX-it. Për një periudhë të shkurtër ato u mbyllën. Prokuroria konstatoi se dosja e Lumezit nuk është falsifikuar. E publiku mbeti me shumë pyetje pa përgjigje.

E personi që që akuzoi i pari kryeprokurorin për falsifikim e bëri këtë në ditën kur vetë ai u shpall fajtor për korrupsion dhe u dënua me një viit burgim me kusht.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, bashkë me Hakif Veliun dhe Albert Rakipin, janë gjetur fajtorë për ndryshimin e kontratës së titulluar “Përkthimi i librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe, për nevojat e Universitetit të Prishtinës”, e cila është nëshkruar në mes UP-së dhe Instututit për Studime Ndërkombtare në Tiranë, në vitin 2008.  Në kohën kur dyshohet se ka ndodhur keqpërdorimi, Hasani ishte rektor i UP-së, ndërsa kontrata e nënshkruar i kishte shkaktuar dëm Universitetit në vlerë prej 70 mijë eurosh, transmeton Periskopi.

21 vjet burgim për “terroristët” e VV-së

Por, rasti që zgjoi më së shumti vëmendjen e publikut duket se ishte dënimi prej 21 vjetësh me burgim për 4 aktivistët e Levizjës Vetëvendosje, të akuzuar për sulmin e vitit 2015 me raketahedhës në objektin e Kuvendit të Kosovës.

Motoçikleta e djegur, telefoni dhe kartela e blerë, disa video incizime, si dhe adresa elektronike, dalin të jenë provat kryesore mbi të cilat është mbështetur Gjykata, e cila, në anën tjetër, nuk mori për bazë provat shfajësuese, siç ishin ekspertizat e Prokurorisë dhe Policisë, nga të ciat dilte se të akuzuarit nuk kishin barrë fajësie. Me 8 vjet burgim Gjykata e dënoi deputetin e VV-së, Frashër Krasniqi, kurse aktivistin Atdhe Arifi me 6 vjet burgim. Me burgim është dënuar edhe aktivisti tjetër, Egzon Latifi, në kohëzgjatje prej 5 vjet e 6 muaj burgim. Ndërkaq aktivistja Adea Batusha është dënuar me 2 vjet burgim.

Vendimi u shpall dy ditë para se të mbahej raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.

Por, katër të dënuarit nuk ishin të vetmit nga VV që patën përplasje me gjyqësorin kosovar.

Albin Kurti, i cili doli si deputeti më i votuar në Kosovë, u arrestua për mosparaqitje në gjykatë dhe u po mbahet në paraburgim për më shumë se një muaj. Në paraburgim për të njëjtën arsye përfundoi edhe deputetja tjetër e VV-së, Donika Kadaj-Bujupi. Kurti dhe Kadaj-Bujupi janë liruar nga paraburgimi, teksa u është caktuar masa e mbrojtjës në liri. Gjykimi ndaj tyre (bashkë me Faton Topallin dhe Albulena Haxhiun) ka arritur fundin: mbetet vetëm edhe prezantimi i fjalës përfundimtare, si dhe shpallja e aktgjykimit.

Një tjetër ngjarje që u përcoll me vëmendje të madhe ishte lirimi i ish-komandantit të UÇK-së, Sami Lushtaku, pasi Gjykata Supreme i hodhi poshtë dënimin për akuzat për krime gjatë kohës së luftës, Lushtaku ishte dënuar me 12 vjet burgimi nga Gjykata Themelore në Veri të Mitrovicës, e më pas 7 vjet nga Apeli. Për dallim prej tij, në vuajtje të dënimit kanë mbetur ish-komandanti Sylejman Selimim si dhe të akuzuarit e tjerë në rastin “Drenica 1 dhe 2”.

Këtë vit mori fund edhe procesi maratonik gjyqësor ndaj Fatmir Limajt dhe të akuzuarve të tjerë për krim të organizuar, në rastin e njohur si “MTPT”. Limaj së bashku me katër të akuzuarit, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi, Shpëtim Telaku, si dhe Florim Zuka, u shpallën të pafajshëm. Unanimisht, trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtarë të EULEX-it erdhi në përfundim se veprimet e të akuzuarve nuk përbëjnë vepra penale, pasi që nuk kishte prova që i inkriminonin.

Po këtë vit filluan hetimet ndaj bashkëpartiakut të Limajt, deputetetit të Nismës për Kosovën, Milaim Zeka, lidhur me veprat penale pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, për mashtrim dhe për shmangje tatimi. Hetimet filluan pas raportimit të mediave për mashtrim të 920 kosovarëve, për viza punësimi në Gjermani.

Shukri Buja, i vetmi i akuzuar i profilit të lartë gjatë viti 2017

Një aktakuzë e vetme e profilit të lartë është bilanci i punës së Prokurorisë së Shtetit gjatë 12 muajve të vitit që po e lëmë pas. Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, është i vetmi zyrtar i lartë, i cili u akuzua për korrupsion në vitin 2017 dhe vazhdon të përballët me drejtësinë. Në fakt Prokuroria ngriti edhe dy aktakuza të nivelit të lartë, por që të dija u rrëzuan nga gjykata.

Aktakuza kundër ish-kryetarit të Gjakovës, Pal Lekaj, dhe aktakuza kundër ish-ministrit për Komunitetet dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq, u hodhën poshtë nga gjykata pa u trajtuar fare me arsyetimin se Prokuroria e Shtetit nuk kishte argumentuar se kishin kryer veprat siç pretendohej në aktakuza.

Pesëmbëdhjetë aktakuza të tjera të ngritura gjatë vitit 2017 i takojnë nivelit të ulët ose të mesëm.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani u lirua nga ndjekja penale për korrupsion sa ishte në krye të Kushtetueses në fillim të 2017-s. Shkalla e dytë dhe e tretl erdhën në përfundim në përfundim se aktakuza kundër tij është e pabazuar. E pabazuar u konsiderua edhe aktakuza kundër kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri. Ai nuk u gjykua asnjëherë për akuzat për korrupsion, pasi që aktakuza kundër tij u hodh poshtë dhe procedura penale ndaj tij u pushua.

U rrëzua edhe aktakuza kundër ish ministrit të Arsimit, Ramë Buja, si dhe të akuzuarve të tjerë për korrupsion. Gjithnjë me të njëjtën arsye.

Të njëjtin “fat” e pati edhe aktakuza kundër kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, po ashtu për korrupsion. Edhe atë gjykata e hodhi poshtë, duke e konsideruar të pabazuar.

Të tjera aktakuza, edhe pse u cilësuan si të pranueshme për t’u gjykuarm nuk përfunduan me aktgjykime dënuese. Dy vitet e fundit u shpallën të pafajshëm ish kryeshefi i PTK-së, Shyqri Haxha, ish kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku, kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, ish-kryetari i Obiliqit, Mehmet Krasniqi, Shpresa Bakija, ish-kryeprokurore e Prokurorisë Themelore Gjakovë, Mazllum Baraliu, ish-rektor i Univeristetit Publik të Prizrenit. Gjykata i liroi edhe dy ish-ministrat e kulturës, Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri.

Një tjetër rast i çuditshëm nga viti 2017 është ai i Driton Gashit, të cilit Prokuroria Themelore e Prishtinës i kishte ngritur aktakuzë që në vitin 2016, por u tërhoq prej saj shtatë ditë para emërimit të tij në krye të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI). Arsyetimi: Mungesa e provave. Gashi akuzohej për keqpërdorim të dëtyrës zyrtare në kohën sa ishte duke udhëqur pozitën e sekretarit të MPB-së. Para kësaj pozite ishte i afërt me PDK-në. Emërtimi i tij në krye të AKI-së ngjalli reagimin e shoqërisë civile. Organizata “Qohu” deklaroi se “PDK-ja përmes emërimit të drejtorit të AKI-së po kontrollon instuticionet”.

 Sekseri i Policisë së Kosovës dhe zhytja në korrupsion

Në muajin maj të vitit 2017, “Koha Ditore” zbuloi skandalin tjetër në sektorin e ligjit. Gazeta raportoi për një sekser në Polici të Kosovës, i cili kishte bashkëpunuar me policinë për mbylljen e rasteve. Në të ishte përfshirë edhe ish-drejtori i Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës,Emin Beqiri. Gazeta publikoi divsa video-inqizime , ku shihej sekseri Rrahim Hasani, duke pranuar para nga palë të përfshira nën hetime, me qëllim të mbylljes së rasteve kundër tyre. Beqiri kishte siguruar drejtuesit e Qendrës për Avokim dhe Diplomaci (QAD) që së bashku me sekserin Hashimi do t’ua mbyllte rastin. Përveçse ishte në dijeni se sekseri në emër të Policisë po u kërkonte para personave në fazën preliminaretë mbledhjes së informatave, ai i kishte porositur edhe të vepronin siç u thoshte Rrahim Hashimi, i cili sapo kishte nisur mbledhjen e informatave u kishte kërkuar para në vlerë prej 100 mijë eurosh, transmeton Periskopi.

Befasi tjetër e pakëndshme ishte lirimi i Enver Sekiraçës nga paraburgimi, i dënuar nga gjykata e shkallës së parë me 35 vjet burgim për nxitje të vrasjes së policit Trium Riza. Pak javë para lirimit ai kishte ofruar para Gjykatës së Apelit si garanci tërë pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë dhe lokalin, vetëm që të lirohet nga paraburgimi. Megjithatë, dalja nga burgu Sekiraqës nuk i zgjati më shumë se 24 orë, pasi i shkeli kushëtzimet që ia vuri gjykata kur ia caktoi masën e arrestit shtëpiak. Atij nuk iu lejua që të takonte asnjë përson tjetër përpos familjes së ngushtë. Natën kur u dërgua në shtëpi po e prisnin dhjetëra njerëz Të nesërmen mbrëma policia e vuri sërish në pranga dhe e dërgoi në Burgun e Sigurisë së Lartë. U mbajt një seancë para gjykatës për këtë çështje. Sekiraça tha se urdhrin e gjykatës e shkeli pa vetëdije, pasi që natën e lirimit nuk e kishte lexuar vendimin. Megjithatë, lutja dhe arsyetimi i tij nuk mjaftuan. Gjykata e shkallës së dytë vendosi ta lërë në paraburgim dhe kompetencën më tutje ia kaloi shkallës së parë, kur të fillojë rigjykimi i këtij rasti./Periskopi/