Prokuroria heton pasurinë e dyshimtë të Murat Mehës

murat_mehaProkuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj Murat Mehës, drejtor i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, me dyshimin se ka kryer veprën penale “mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë si zyrtar i shtetit”.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Ekrem Lutfiu, ka bërë të ditur për “Zërin”, se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj drejtorit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Murat Meha, për shkak të fshehjes dhe deklarimit të rrejshëm të pasurisë.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, ka nxjerrë Aktvendim për fillimin e hetimeve për drejtorin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Murat Meha, me dyshimin se ka kryer veprën penale mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare nga neni 437 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë, duke mos dhënë detaje më shumë.