Prokurori i EULEX-it kërkon nga Gjykata e Apelit rigjykim për Fatmir Limajn lidhur me rastin e MTPT-së

Prokurori i EULEX-it, Charles Hardaway ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin e MTPT-së, ku Fatmir Limaj dhe të tjerët janë liruar nga akuza për vepra penale të korrupsionit.

Më 24 nëntor 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Fatmir Limajt, Endrit Shalës, Nexhat Krasniqit, Florim Zukës, e Shpëtim Telakut.

“Betimi për Drejtësi”, e ka siguruar ankesën e prokurorit Hardaway, i cili e ka dërguar në gjykatën e shkallës së dytë, më 22 mars të këtij viti, së cilës i kërkohet që të prish aktgjykimin e Themelores dhe lëndën ta kthej në rigjykim.

Sipas ankesës, e cila përmban 42 faqe, kundërshtimi bazohet se në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë është bërë vërtetim i gabuar dhe jo i plotë i gjendjes faktike, shkelje thelbësore  e procedurës penale dhe shkelje të ligjit penal.

“Vërtetimi i gabuar dhe jo i plotë i gjendjes faktike, ka ekzistuar kur gjykata kishte vendosur të mos e dëgjojë dëshmitarin e prokurorisë Hakan Ekizer (ish-hetues i EULEX-it) dhe të tjerë të lidhur me autenticitetin dhe pranueshmërinë e SMS-ve të shtypur që ishin konfiskuar nga shtëpia e Fatmir Limajt”, thuhet ndër të tjerash në ankesë.

Sipas prokurorit, ky dëshmitar do të mund të përcaktonte se komunikimet e pretenduara ndërmjet Endrit Shalës dhe Florim Zukës ishin të vërteta.

“Prandaj, prokuroria është e mendimit se kishte qenë thelbësore që të dëgjohet dëshmia e Hakan Ekizer, gjatë shqyrtimit gjyqësor, pasi që ai ishte në mesin e ekzaminuesve të parë të USB-së dhe ishte në pozitë shumë më të mirë për të qenë në gjendje të ofrojë informacion më të besueshëm në lidhje me autenticitetin e përmbajtjes së kartës së memories – USB”, thuhet ndër të tjerash në ankesë, ku duke u thirrur në nenin 361 të KPK-së, sipas ankesës, gjykata ka bërë një veprim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike në pjesën kyçe të rastit.