Projekti i vlerësimit të mësimëdhënesve i nevojshem dhe shumë i vonuar

berat-morinaArsimi në Kosovë nuk është në gjendjen që e deshirojmë. Arsimi në Kosovë vuan nga shumë probleme si infrastruktuara, deri diku e kuptueshme, për shkak të pasojave të luftës e gjendjes ekonomike. Cilësia e mësimëdhënies është e mjerueshme. Këtu, rriskun më te madh e ka faktori njeri ose keqmenaxhimi njerëzor. Dihet që keqmenaxhimi në arsim është keqmenaxhim i së ardhmes, pra as Kosova nuk është ne gjendjen që e dëshirojmë. Shkollat tona po prodhojnë çdo gjë tjeter, përveç dije. Mandej këta të paditur po e marrin fatin e vendit në duart e tyre.

Muaj më parë u hodh ideja e vlerësimit të mësimëdhënësve, ide shumë e qëlluar e nevojshme dhe shumë e vonuar. Kosova ka shumë nevojë për një vlerësim të komplet kuadrit arsimor, sepse qe 17 vjet pas lufte nuk ka kurrfarë kontrolli as në pranim të kuadrit as në zhvillim të procesit. Decentralizimi që është bërë në kompetenca të arsimit fillor dhe të mesëm ka mundësuar që në komuna të ketë keqpërdorime të llojllojshme, sepse rrethet më të vogla, komisionet i njohin personalisht gati të gjithë kandidatët. Në shumicën e komunave të Kosovës listat e kandidatëve për mësimëdhënës përfundojnë te kryetari ku në bazë të përkatësisë partiake u behët kandidatëve plusi e minusi. Në arsim janë punësuar persona në bazë të nepotizmit, mitdhënies, favoreve seksuale. Ka kuadër me diploma të blera, kuadër me fakultete private që nuk u është matur asnjëherë cilësia me një fjalë ka gjithçka. E një vlerësim i tillë, ama vlerësim real, jo vlerësim siç jemi mësuar në Kosovë, do të ia kthente dinjitetin mësuesit, siç thotë populli “do ta ndante shapin prej sheqeri”.

Do të krijonte psqyrë të qartë të mësimëdhënies e mbi këtë pastaj të përpilohen testet kombëtare. Si shembull, testi i maturës, i cili është projekt i dështuar, sepse kërkohet diçka që nuk dihet sa është dhënë, nxënësve iu kërkohen informacione që ndoshta nuk i kanë marrur kurrë.

Ministria duhet të mendojë përtej interesave të ngushta politike, nuk duhet të bjerë pre e kërcënimeve të SBASHK-ut ( sindikata e interesave personale) dhe të nxjerrë një udhëzim administrativ që parasheh formën dhe masat pas projektit dhe të caktojë datën dhe mënyrën e testimit.

Është koha të ecim përpara! Edukimi i fëmijëve është punë dhe detyrë.

Projekti i vlerësimit të stafit mësimëdhënës është projekt i vonuar. Është dashur të zhvillohet para tri ose katër vjetëve, para fillimit të dhënies se kontratave të përhershme. Kalim i testeve është dashur të jetë kusht për marrjen e kontratës së përhershme. Nuk është projekt fyes për arsimtarë, ose për shkollimin e tyre siç po mundohet ta paraqesë SBASHK-u. Sepse është edhe në interes të arsimtarëve të dallohen me ata që nuk i kanë njohuritë e duhura për mesimëdhënie dhe do t’ju ndihmonte t’i vlerësojnë njohuritë e tyre për metodologjinë bashkëkohore. Edhe mjekët e kanë një test të tillë, testin e licencës, edhe juristët, jurispodencën, dhe nuk thonë që është fyes për shkollimin e tyre.

Mendimi im është ta kemi një test jo vetëm diagnostifikues por edhe kushtëzues për kalim. Të përbëhet nga tri lloj pyetjesh: logjike, metodike dhe lëndore. Arsimtarët të kenë dy ose tri mundësi për kalim dhe ata që nuk kalojnë t’u ndërpritet kontrata, sepse mësimëdhësit e tillë nuk i bëjnë nder as vetes as arsimit. Duhet të jetë test i përhershem dhe arsimtarët e ri t’i nështrohen në vitin e dytë të punës e komplet kuadri çdo pesë vjet. Ndoshta modalitetet janë punë e ekspertëve, por unë shkruaj nga përvoja ime brenda procesit.

Mesimëdhënia është proces që çdo ditë reformohet me diçka te re, është proces që ecën dhe mësimëdhënësi i mirë duhet ta përcjellë. Pra mësuesi është nxënës i përhershëm. E një reflektim mbi njohuritë dhe nevojat do t’u shërbente shumë. Do t’i shërbente vendit për një të ardhme të ndritshme.

 

Berat Morina