PROFILET E 6 ZËVENDËSMINISTRAVE: TË AKUZUAR PËR FYERJE, TORTURA DHE ENDE STUDENT

Qeveria Haradinaj ka qenë dorë lëshuar me emërimin e zëvendësministrave në këtë mandat deri më tanë janë bërë të ditur se do të jenë së paku 58 zëvendësministra.

Vetëm në ministrinë e  Punës dhe Mirëqenies Sociale janë emëruar jo më pak se gjashtë zëvendësministra. Çerkin Dugolli, Vesel Makolli, Lulzim Leci, Miloš Perovič , Besart Jashari  dhe Abdyl Ymeri do të jenë zëvendësministra në MPMS, shkruan Insajderi.

Vesel Makolli nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, zëvendës president i kësaj partie dhe sekretar i përgjithshëm. Ai ka qenë drejtor shumë vjeçar në Hekurudhat e Kosovës  nga viti 1983 deri më 1989. Po ashtu ka qenë drejtor i shtypshkronjës ‘‘Rilindja’’ në Prishtinë.

Veseli kishte qenë mësimdhënës në shkollën e mesme teknike për profilet e hekurudhave.

Besart Jashari nga Partinë Demokratike të Ashkalive të Kosovës është emëruar zëvendësministër pavarësisht se është në studime. Ai ende nuk e ka përfunduar nivelin Master të studimeve për Menaxhment dhe Informatikë.

Fatmir Aliu, nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, kishte akuzuar Jasharin tashmë zëvendësministrin se e kishte rrahur në ditën e zgjedhjeve me 22 tetor të këtij viti. Aliu ishte detyruar të marr ndihmë mjekësore nga plagët që thoshte se ia shkaktoi Jashari së bashku me bashkëpartiak të tjerë.

Zëvendësministri tjetër Lulzim Leci nga AAK nuk e ka për herë të parë këtë pozitë. Ai e kishte mbajtur të njëjtin post edhe nga viti 2009 deri në vitin 2013. Leci kishte qenë po ashtu edhe këshilltar i ministrit të MPMS-së nga viti 2004 deri në vitin 2007. Ndërkaq puna e fundit që Leci ka bërë ka qenë Shef i Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Kamenicës.

Abdyl Ymeri, ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës në legjislacionin e kaluar. Ymeri po ashtu ka qenë drejtori për Planifikim dhe Zhvillim në komunën e Skenderajt dhe këshilltar i Sami Lushtakut gjatë vitit 2008.

Ymeri ishte bërë i njohur për publikun kur gjatë vitit të kaluar në kuvendin e Kosovës e kishte fyer me nënë, deputetin e Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili.

“Ta q… nanën morë pis”, ishte shprehur i mllefosur ai.

Çerkin Dugolli, zëvendësministër nga Nisma për Kosovën, ka qenë më herët drejtor i inspektoratit për infrastrukturë rrugore dhe transport në Ministrinë e Infrastrukturës.

Ndërkaq për zëvendësministrin Miloš Perovič, nuk janë gjetur asnjë e dhënë.