Pranë flamurit të përbashkuar – a e dimë se çfarë thonë në të vërtetë këto vargje?

Ëndrra e rilindasve ishte një shtet sekular i progresit dhe mirëqenies. Ideologjia e tyre shtetndërtuese qe ajo e një nacionalizmi racionalist, gjuhësor e modernist mbifetar, ku feja e shqiptarit qe shqiptaria. Si pasojë, ajo ideologji ishte që në krye më tolerantja në Ballkan, pse kërkonte të qasë e të validojë të gjithë pa dallim feje.

Se çfarë propozimi revolucionar ishte ky në Ballkanin e viteve 1800, është zor të imagjinohet sot. Të jesh serb a grek është, edhe sot e kësaj dite anno 2017, të jesh ortodoks. Të jesh kroat d.m.th. të jesh katolik. Njësoj tek turqit, bullgaret, rumunët, maqedonasit, malaziasit, lista vazhdon pa mbarim, boshnjakët, sllovenët, polakët, rusët… Ishte vetëm shqiptarizmi unik i rilindasve ai që ua hapi portat e strehimit të gjithëve pa dallim, nëse donin të flasin shqip e të ndërtojnë progres.

Them qëllimshëm progres pse në rrafshin shoqëror, ideologjia rilindase, e cila nuk thirrej, se s’kish si të thirrej, në tradita qoftë dinastike a aristokratike, është jashtëzakonisht e relaksuar dhe e investuar në progres. Të lexosh «Shqipëria c’ka qenë…» habitet njeriu se me ç’lehtësi propozohen aty ndryshime madhore, revolucionare do të thosha, emrash, toponimesh, mekanizmash të shoqërisë, paradigmash të tëra, si kërcim warpdrive ndërsa epoka e tyre ishte me qerre kuajsh e mushkash. Shiko përpara, traditat janë për t’u ndryshuar. Ndrysho atë që të duhet, veç çaj përpara, është mesazhi mes rreshtash.

Të parënduar nga komplekse historike, rilindasit udhëtojnë me këmbë të lehtë. Ata marrin vetëm atë qe u duhet – Skënderbeu, gjuha, prejardhja e lashtë – dhe ia bëjnë papa historisë, duke investuar masivisht në të ardhmen. Ka një natyrë aq të thjeshtë e aq të pakompleksuar pioniere, nismëtare, mendësia e rilindasve, sa të le pa frymë edhe sot, në epokën e dijes dhe tolerancës.

Kjo nuk qe e rastit, të kuptohemi. Rilindasit ishin të ndikuar fuqishëm nga ide revolucionare të iluminizmit, përndritjes. Ato ide kishin përmbysur pushtetin mijëvjeçar të klerit e aristokracisë në Europë, duke transformuar rrënjësisht shoqëritë e atjeshme.

Ne nuk mund t’i kuptojmë sot rilindasit pa kuptuar së pari idetë e përndritjes. Rilindasit shqipëruan dhe na sollën në atdhe arritjen kulmore ideologjike të epokës së vet. Ata na e lanë edhe porosinë e brezit të vet, se dielli lind në Perëndim. Ky qe mesazh shokues në Lindjen e Afërt, si quhej atëbotë Ballkani osman. Sërish pra i njëjti mesazh, ndiqe dritën, lopë të shenjta s’ka, merr atë që të kryen punë, zhvillohu. Është zor të gjesh diku themeltare të kombit kaq revolucionarë e kaq pragmatikë njëherit, me përjashtim ndoshta të atyre amerikanë.

Shumëkush sot shfryn duke fajësuar a përfolur rilindasit pse ne kemi këtë shoqëri që kemi. Por ky është mëkat i rëndë, jo veç ndaj rilindasve, po ndaj të vërtetës së qartë e të dëshmueshme. Nëse ne sot nuk e kemi atë Shqipëri që deshën rilindasit, nuk është faji i tyre. Po është pse ne, jo ata, nuk qemë në nivelin që duhej. Pse ne nuk duam të ndryshojmë, ta përqafojmë ndryshimin si mënyrë të jetës, ashtu si deshën ata.

Në epokën tonë, idetë liridashëse të përndritjes janë pasuruar e zhvilluar me ide e praktika të barazisë gjinore e sociale. Është detyrë e brezit tonë ta ndjekim këtë rrugë e ta mbajmë të gjallë trashëgiminë rilindase, duke e ushqyer me idetë e kohës. Ndryshe trashëgimia e tyre bëhet artefakt muzeor, e bashkë me të vjetrohet e bëhet i demoduar edhe identiteti shqiptar.

Një gjë e tillë them se do të ishte tragjike. Rilindasit kaluan jetën duke luftuar të sëmuren e Bosforit, jo pse kishin urrejtje ndaj turqve. Shumë syresh ishin rritur e kishin shërbyer atje, ishin martuar më të huaj, dhe shumë sosh u munduan së pari ta reformonin vetë shoqërinë osmane. Por arritën te një pike ku urryen ngurtësinë, dogmatizmin dhe natyrën statike të asaj shoqërie, pse pushteti dhe kleri thirreshin vetëm në fe e tradite, e luftonin çdo risi dhe ndryshim ideor. Do të ishte krim i rëndë post mortem kundër rilindasve tanë sikur brezi ynë të sillej ashtu, duke kthyer shoqërinë shqiptare në të sëmuren e Ballkanit.

Dita e Flamurit nuk është thjesht një festë kujtimi. Ajo është edhe një datë zotimi të përvjetshëm, se ne shqiptarët do të ecim tutje pa ngurruar në rrugën e ndryshimeve, barazisë, tolerancës, shkencës dhe zhvillimit, trasuar prej rilindasve.

Ky është ai flamuri rreth te cilit rilindasit kërkonin që ne të ishim të përbashkuar gjithmonë. Uroj që një ditë ta kuptojmë këtë.