Porosia e madhe e prof. Anton Çettës

anton cettaThonë që koha kalon shpejt e unë po them se ne, njerëzit që janë simbole të një kohe, po i harrojmë edhe më shpejt, shkruan Riza Ahmet Krasniqi, një nga nismëtarët e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë, 25 vjet më parë.

Pikërisht sot, më 3 nëntor 2015 po bëhen 20 vjet që kur vdiq simboli i Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve, prof Anton Çetta. Edhe Lëvizja sivjet i bëri 25 vjet. Po frikëohem se duke e harruar profesorin tonë po e harrojmë Lëvizjen dhe e kundërta, duke e harruar Lëvizjen po e harrojmë Profesor Antonin. Po shpresoj se kjo harresë nuk po bëhet me qëllim.

E konsiderojë veten njeri me fat shumë të madh që prof. Anton Çetten e njoha që nga 10.02.1990, d.m.th. që nga dita kur u bë pajtimi i parë, në fshatin Raushiq, në familjen Buqolli. Ky pajtim që siç e dimë, u pasua me shumë e shumë pajtime e falje gjaqesh gjatë viteve në vazhdim.

Viti 1990 hyri në histori edhe si vit i Lëvizjes së Pajtimeve të Gjaqeve. Në këtë Lëvizje intelektualët tanë, si rrallëherë në histori, e bënë punën e vet ashtu si duhet. Në këtë Lëvizje rinia jonë, nismëtare dhe bartëse e saj (Hava, Myrveti Ademi, Ibrahimi, Flamuri etj), shkëlqeu me plotë kuptimin e plotë të fjalës. Përmes kësaj Lëvizjeje populli ynë tregoi se kur ka kush t’i prijë, kur qëllimet janë kombëtare, është në gjendje të bëjë të pamundurën, të paimagjinueshmen. Ai, pra populli, e bëri këtë vetëm pse interesi kombëtar e kërkonte. E interesi kombëtar kërkonte faljen e gjaqeve si hap të parë të madh, si hap të domosdoshëm për hapin tjetër të madh, që do të pasonte e që ishte çlirimi i vendit. Në këtë Lëvizje heronjtë e vërtetë ishin ata që i falen gjaqet e më të dashurve të tyre. Vetëm ata që kanë falur e dinë sa vështirë dilte nga goja ajo fjali e famshme: Fal u koftë gjaku i djalit, vëllaut, babës dhe pastaj zakonisht kjo fjali pasohej me fjalinë: Gjakun po ia falim rinisë së Kosovës, po ia falim nënave të Kosovës. Gjakun po e falim për ardhmërinë e Kosovës.

Në këtë Lëvizje një ndër shtyllat kryesore ishte harmonia fetare. Lëvizjes i printe Anton Çetta e pajtimi i parë në Raushiq u bë me librin e shenjtë mysliman, Kuranin. Gazetarët e huaj, që na përcillnin në atë kohë e kishin vështirë ta kuptonin se si Anton Çetta pajtimin e parë e bëri me Kuran, dhe po mos të ishin këta gazetarë të huaj ne as që e kishim vërejtur këtë harmoni fetare. Për ne ishte diçka e zakonshme dhe asnjëherë nuk kemi menduar se si ishte e mundur që krushqve të Pajtimit, siç na quanin atëherë, t’u printe një shqiptar i besimit të krishterë e shpeshherë ka ndodhur që të gjithë të tjerët ishin shqiptarë të besimit mysliman. Për ne ishte me rëndësi që të gjithë punonim për shqiptari. Krejt të tjerat ishin fare të parëndësishme.

Kjo Lëvizje kishte edhe një fat të madh, sepse e udhëhoqi i madhi prof Anton Çetta. Kur ishim me prof. Antonin në odë të burrave kishe një ndjenjë se profesori ka lindur në to dhe pak kush e dinte se kishte lindur në Gjakovë, dhe se pas 9 muajve ishte shpërngulur në Tiranë, ku pastaj kishte përfunduar shkollën fillore. Pastaj se ndoqi Liceun në Korçë, dhe vazhdoi shkollimin në Liceun klasik në Milano të Italisë. Prof Antoni ishte ndër intelektualët e parë të Kosovës që u mor me mbledhjen e folklorit dhe tregimeve popullore nga të gjitha trevat tona thuaja deri në fund të jetës. I dinte edhe tregimet nga Mirdita, prej nga e kishte prejardhjen, edhe nga Dukagjini, e edhe nga Drenica. Ishte enciklopedi e vërtetë për tregimet, anekdotat dhe urtitë popullore. Profesori ynë jo vetëm që i dinte tregimet, por e dinte sidomos kohën dhe vendin kur duhet treguar këto tregime. Porositë e këtyre tregimeve janë edhe sot aktuale dhe kanë vlera të paçmuara. Ja njëri prej shumëve që ai i tregonte:

Ishte e diele mbrëma dhe ishim lodhur shumë. Tërë ditën nuk kishim hëngër asgjë, apo siç thoshte profesor Antoni, kishim ngjinuar. Na kishte mbetur edhe një rast. Duhej ngutur, sepse ishte edhe ora policore e profesorët Antoni, Marku (Krasniqi), Ramizi (Kelmendi), Azem Shkreli e Bajram Kelmendi duhej të ktheheshin në Prishtinë. I tërë fshati na priste në odën e … nga i cili kërkohej të falte gjakun e djalit të vetëm, që kishte pasur, apo siç thoshim – djalit të hasretit. E dinim se babai, i cili duhej të falte, ishte patriot i mirëfilltë, prandaj shpresonim se nuk do të duhej shumë bindje. Mikpritja ishte tradicionale e mirë. Prof Antoni e filloi bisedën e zakonshme duke i treguar të zotit të shtëpisë pse kishim shkuar. Pas prof Antonit nuk e mori fjalën askush, duke pritur fjalët e të zotit të shtëpisë, i cili më në fund tha:

Profesor e di çka kërkohet nga unë. Por ju lus që të më falni ju mua kësaj here. Ju e dini se rasti im është më ndryshe. Unë vetëm atë djalë kisha. Nuk kam më tjetër. Unë një ëndërr e kisha në jetë: ta martoj atë djalë. Pasi ma vranë, madje pa pikë faji, unë as ëndrra nuk shoh më. Jeta ime nuk ka më gëzime. Më thua profesor “Banu i fortë e fale. E unë ju pyes juve për çka me u ba unë i fortë? Për çka me jetue unë? Për çka?”

Pas një pauze të gjatë vazhdoi prapë i zoti i shtëpisë. “Profesor krejt katundi e edhe më gjerë më njohin. E dinë se krejt jetën çështjes kombëtare ia kam kushtuar. E dinë sa herë jam bastisur nga milicia, e dinë sa herë jam rrahur unë. Po mirë, që më kanë rrahur mua edhe ndoshta ua bëj hallall, por edhe djalin që ma vonë ma vranë kojshitë, ma kanë rrahur dy herë, e herën e dytë fort e keq, vetëm lëkura e delmes e pështoi djalin. Prof nuk kishte gjë më të vështirë në jetë se me ta rrahë djalin e ti me qenë i pafuqishëm. E dinë që edhe në burg kamë qenë për flamur…”

Prapë pauzë.

“Profesor po ju lus të më falni vetëm kësaj here. Nuk po mund i përgjigjem thirrjes kombëtare. Më besoni se kurrë në jetën time nuk e kam pasur më vështirë. Është vështirë me iu thanë jo juve e kësaj rinie. Por unë kam punuar mjaft për kombin tonë. Edhe jam plakur pak, edhe le të punojnë edhe të tjerët pak e do të bëhet mirë. Le të punojnë edhe të tjerët bile pak”.

Prap pauzë. Tash pak edhe më e gjatë. Askush nuk e hapi gojën. Shumica prej nesh sytë i kishim të përlotur, siç ndodhte në raste të tilla, të gjithë sytë I kishim drejtuar ka Profesori. Të gjithë pritshim fjalën e tij. Dhe profesori e filloi fjalën shumë i qetë.

“Së pari shumë faleminderit që na ke pritur. Ne e dimë rastin tënd shumë mirë dhe ju kuptojmë dh jemi me ty. Na jemi në këtë odë të burrave që fillon këtu në ballë të oxhakut dhe përfundon po e dimë ku. D.m.th. kjo odë i ka kufijtë e vet. Edhe fshati ku jemi dihet ku fillon e ku mbaron, i ka kufijtë e vet. Edhe Kosova i ka kufijtë e vet. Edhe Evropa i ka kufijtë e vet. Edhe gjithësia i ka kufijtë e vet. Këtë e ka thanë edhe Ajnshtajni. D.m.th.çdo gjë që ekziston ka kufijtë e vet. Të gjithë pajtoheshim me profesorin”.

Pas një pauze të vogël prapë vazhdoi. “Vetëm një gjë në botë nuk i ka kufijtë e vet?!”

Prapë pauzë.

“Obligimet ndaj çështjes kombëtare nuk kanë kufij. Askush nuk mund të thotë unë i kam kryer obligimet e mija, askush nuk mund të thotë unë punova mjaft për kombin. Obligimet ndaj kombit lindin me lindje dhe as me vdekje nuk përfundojnë. Janë me fat ata që munden edhe pas vdekjes të japin kontributin për çështjen kombëtare. Djali juaj është me fat që mundet edhe i vdekur të kontribuojë për çështjen kombëtare”, tha profesor Antoni.

Pauzë, pauzë …dhe profesori prapë vazhdoi: “Prandaj vazhdo t’i kontribuosh shqiptarisë ashtu siç ke kontribuar deri më tani. Çohu në këmbë e zgjatna dorën e pajtimit, se kjo dorë sot po i duhet Kosovës më shumë se kurrë”, thirri profesori.

I zoti i shtëpisë filloi të qajë. Të gjithë qanim dhe mezi e dëgjuam fjalën e zotit të shtëpisë: “Falë i koftë gjaku rinisë së Kosovës, fal i koftë gjaku…!”

I tillë ishte profesor Anton Çetta, i cili u nda prej nesh njëzet vjet më parë, por asnjëherë i harruar për veprën dhe urtinë, shkruan Riza Ahmet Krasniqi sot.