Policia sqaron shpërthimin e fuqishëm që ndodhi dje në Pejë

Dje nga mediat u raportua një shpërthim i fuqishëm në Pejë, të cilin sot e ka sqaruar Policia e Kosovës.

PK, në një komunikatë për mediat ka sqaruar se shpërthimi në vendin e njohur si “Maja e Zezë”, janë duke u zhvilluar punime për hapjen e rrugës që lidhet me fshatrat e Rugovës, shkruan Periskopi.

Po ashtu, Policia sqaron se shpërthimi nuk është bërë nga njësitet e KFOR-it, siç u raportua nga mediat, por nga kompanitë përkatëse për ndërtimin e rrugës.

Sqarimi i plotë i Policisë së Kosovës:

Policia e Kosovës (PK), me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik lidhur me shpërthimin për hapjen e rrugës që ka ndodhur tek vendi “Maja e zezë”- Pejë, me datë 12.07.2017, rreth orës 13:30, njoftoheni në vijim:

Policia e Kosovës DRP Pejë  bënë me dije dhe sqaron, se në vendin ku ka ndodhur shpërthimi janë duke u zhvilluar punime për hapjen e rrugës e cila lidhet me fshatrat e Rugovës.

Për hapjen e kësaj rruge është e nevojshme aty ku ka pengesa, të bëhet edhe thyerja e shkëmbinjve me exploziv, për të cilin përkujdesen firmat e licencuara, të cilat kanë leje të posaçme, dhe lidhur me këtë leje në këtë rast është njoftuar Policia e Kosovës dhe KFOR-i.

Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme para, gjatë dhe pas këtij shpërthimi.

Shpërthimi është ekzekutuar nga kompania e licencuar, me ç rast ka përfunduar pa ndonjë incident.

Këtë shpërthim nuk e kanë bërë Njësitet e KFOR-it as nuk kanë asistuar gjatë këtij shpërthimi, siç ceket në disa portale dhe media të shkruara dhe elektronike.