Policia e Kosovës arreston dy persona të dyshuar për terrorizëm

Foto 1

Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e dy personave të dyshuar për ‘për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit si dhe për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik’

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria Kundër Terrorizmit, e asistuar nga njësitë relevante policore, sot me datën 26 korrik 2016, ka realizuar një operacion policor, në dy lokacione të ndara në rajonin e Pejës.

Gjatë operacionit policor në të dy lokacionet janë realizuar bastisje, me ç’rast janë arrestuar dy persona të dyshuar për vepra penale të sanksionuara në bazë të Ligjit nr. 05/L-002 për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit nga neni 3 paragrafi 4 i këtij neni, si dhe neni 147 “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” të KPK-së, transmeton Indeksonline.

Personat e dyshuar tanimë të arrestuar janë:

E. M. i lindur me 1985 (m/sh/k) i dyshuar për veprën penale që ka të bëjë me ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit.

N. K. i lindur me 1983 (m/sh/k) i dyshuar për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” të KPK-së, si dhe për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit.

Gjatë bastisjes së realizuar nga njësitet policore në cilësinë e provave materiale janë konfiskuar disa materiale që janë relevante për këto dy raste.