Po vazhdon fushata e dezinsektimit kundër rriqrave

Në territorin e Komunës së Malishevës, është duke vazhduar fushata e dezinsektimit selektiv të zonave endemike, ndërsa procesi i dezinsektimit është duke u monitoruar nga ana e zyrtarëve përgjegjës komunal. Po ashtu edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr.Shpëtim Robaj”, është rritur shkalla e gatishmërisë për ofrimin e shërbimeve për rastet e thumbimeve nga rriqrat, të cilët janë edhe bartës të virusit të EHKK.

Fushatën e dezinsektimit, krahas monitorimit të vazhdueshëm të shtabit komunal për luftimin dhe parandalimin e EHKK, sot, e ka parë nga afër edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, ku është njoftuar me procesin e realizimit të kësaj fushate, e cila bëhet në kuadër të strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e EHKK.

Po ashtu edhe në QKMF në Malishevë, është rritur gatishmëria nga ana e stafit profesional, të cilët merren me trajtimin e rasteve të thumbuara nga rriqrat. Krahas largimit të rriqrave në mënyrë profesionale, në QKMF, bëhen edhe analizat e personave të thumbuar, dhe për këtë qëllim edhe laboratori, punon me orar të zgjatur, ndërsa regjistrohen edhe të gjitha rastet që paraqiten për trajtim në QKMF.

Përndryshe, edhe pse kushtet atmosferike janë të favorshme për rriqra, pasi janë ngritur temperaturat dhe ka lagështi të mjaftueshme, dhe gjithashtu, përkundër rasteve të thumbimeve deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me virusin e etheve hemorragjike, krime kongo, virus i cili bartet nga rriqrat tek njeriu, andaj, edhe sipas shtabit komunal për menaxhimin e situatës epidemiologjike, situata është nën kontroll dhe nuk ka raste të infektimit.