Plani i Ramë Vatajt për ta bërë profesor “kushën” e tij (Dokument)

foto 2

Insajderi ka siguruar shkëmbimet e e-maileve mes Ramë Vatajt – rektor në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, Isa Elezajt – asokohe prorektor në universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”, dhe Rexhep Rexhepajt, një profesor të cilin planifikonin ta rehatojnë në konkursin e universitetit “Fehmi Agani”.

Në kohën kur Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” ishte në rrugë për t’u pavarësuar nga Universiteti i Prishtinës, kishte shpallur konkurs për zgjedhjen e personelit akademik, më 27 mars të vitit 2015. Edhe pse ishte konkurs publik, nuk munguan sugjerimet dhe planifikimet për montim konkursi, me qëllimin për t’i rehatuar njerëzit e tyre.

Në këtë drejtim, Insajderi ka siguruar shkëmbimin e e-maileve mes Ramë Vatajt – rektor në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, Isa Elezajt – asokohe prorektor në universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”, dhe aktualisht profesor në UP, dhe Rexhep Rexhepajt, një profesor të cilin planifikonin ta rehatonin në konkursin e universitetit “Fehmi Agani”.

Ramë Vataj ka qenë deputet i Partisë Demokratike të Kosovës. Anëtar i Komisionit për Arsim. Po ashtu, ka qenë këshilltar i ish- ministrit të Arsimit, Enver Hoxhajt. Vataj ka qenë edhe kandidat i PDK-së për kryetar të Suharekës.

Në e-mailin e parë, Ramë Vataj, i sugjeron Rexhep Rexhepajt, të cilit i drejtohet me “kusho”, që të aplikojë në këtë konkurs.

Pozita për të cilën ia sugjeron atij ishte ‘Një mësimdhënës për lëndët: Bazat e shkencave natyrore dhe metodologji I dhe II (Programi Parashkollor dhe Fillor) dhe Edukim mjedisor (Programi Parashkollor dhe Fillor)’.

“I dashur kushë, dëshiroj dhe besoj të jeni mirë të gjithë. Edhe ne jemi mirë, megjithëse po lodhem me punët e përditshme në Universitet”, e kishte nisur letrën e tij Vataj drejtuar Rexhepajt.

Por Vataj, këtë propozim e kishte bërë më sugjerimin edhe të Isa Elezajt, i cili ishte prorektor në Universitetin e Gjakovës dhe profesor në Universitetin e Prishtinës.

“Kam një porosi nga profesori Isa Elezaj, që është edhe sugjerim i imi, që të konkurosh në një konkurs që ka dalur këto ditë, në Universitetin e Gjakovës”, i sugjeronte Vataj atij.

Por Vataj shkon edhe më tutje, duke i thënë “kushës” që profesori Isa Elezaj i rri gati kandidaturës së tij.

“Profa Isë është i disponimit që t’i rrin gati kandidaturës tënde, meqenëse edhe ti e meriton”, vlerësonte Vataj. Premtimet nuk përfundojnë me kaq. Vataj i thotë se “të mirat vijnë me radhë”.

“Kryesorja është që njëherë të fillosh, pastaj të tjerat gjëra vijnë me radhë”, shkruante Ramë Vataj.

rame vataj rektor

E-maili i Ramë Vatajt dërguar “kushës” së tij

Insajderi i ka shkruar Ramë Vatajt, i cili në cilësinë e protagonistit e ka nisur këtë muhabet, por ai nuk ka dhënë sqarim rreth kësaj çështjeje.

Megjithatë, “kusha” i Vatajt ia kthen e-mailin duke i thënë se, për shkak të angazhimeve të tij jashtë vendit, nuk arrin të vijë në Kosovë. Ai i falënderon Vatajn dhe Elezajn për iniciativën.

“Deshta edhe njëherë të falënderoj përzemërsisht Ty dhe Prof. Isa Elezin për konsideratën. Deshta që këto ditë të vijë personalisht në Kosovë por nuk po ia arrije -për momentin jam në Berlin….”, shkruan në e-mailin e Rexhep Rexhepajt drejtuar Ramë Vatajt.

“Nuk po kamë mundsi të konkuroj në konkursin e UNI të Gjakovës sepse kamë konkuru në shkurt të këtijë viti për një projekt me të cilin janë edhe dy vende të tjera pune të ndërlidhura- edhe pse nuk kamë mundsi me paragjyku perfundimin…”, shkruante më tej Rexhepaj në drejtim të Vatajt.

“Pasi që nuk po arrijë që të jamë ashtu siq po dëshiroj -me mbetet që edhe njëher të falenderojë përzemërsisht Ty e disa koleg tuaj. Përzemërsisht të fala Kusha”, përfundon letra e Rexhepajt. Insajderi ka kontaktuar me Rexhep Rexhepajn, për ta sqaruar këtë komunikim, por ai nuk i është përgjigjur interesimit të gazetës.

Në këto e-maile ishte edhe Isa Elezaj, të cilit i ishte përmendur emrin si sugjerues, e më pas edhe si ‘gardian’ në rast se aplikon Rexhepaj. Por Elezaj nuk ishte përgjigjur në e-mailet që ishin shkëmbyer mes Vatajt dhe Rexhepajt, edhe pse ai vazhdimisht ishte në sistemin CC të e-maileve. Insajderi e ka pyetur Elezajn nëse heshtja e tij ndaj kësaj dukurie është parë si miratim nga ana e tij, por ai nuk gjeti gatishmëri për të sqaruar.

Megjithatë, Rexhep Rexhepaj nuk është i punësuar në Universitetin e Gjakovës. Këtë e ka konfirmuar vetë rektori i këtij universiteti, Shaban Buza.

“Ky person nuk ka qenë/është i punësuar ose i angazhuar në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani””, është përgjigjur Buza në interesimin e Insajderit.

Por, është e çuditshme se si Ramë Vataj – rektor i Universitetit të Prizrenit, ka provuar të ndikojë në atë të Gjakovës.Por kjo ka një lidhje.

Vataj dhe Elezaj janë miq të vjetër. Ata i  lidh edhe profesioni. Vataj, derisa nuk ishte rektor në Prizren, ai punonte si profesor në Universitetin e Prishtinës, gjegjësisht në Fakultetin e Shkencave Matematikore-Natyrore, departamenti i Kimisë.

Në po të njëjtin vend punon edhe Isa Elezaj. Që nga viti 1983 e deri më 2010 Elezaj ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës. Kurse gjatë viteve 2006-2009 Isa Elazaj ka qenë Dekan i Fakultetit të Shkencave Natyrore.