Pezullimi i shtesave të shërbyesve civilë, mund të çojë në protesta të fuqishme!

kalajArbesa Ibrahimi

Vendimi i marrë para disa ditësh nga ana e Qeverisë së Kosovës, për t’i pezulluar për tre muaj shtesat mbi pagën bazë të shërbyesve civilë, ka bërë që të rebelohen këta të fundit.

Një zyrtar i lartë brenda ekzekutivit të vendit, i ka thënë Gazetës Blic se ka shumë presione nga të gjitha anët që të dalin shtesat edhe për këta tre muaj. Në të kundërtën sipas tij, nëse këto shtesa do të ndërpriten, shumë institucione do të kenë telashe të mëdha në funksionimin e tyre.

Mirëpo, nga Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës nuk janë edhe shumë të shqetësuar. Ata kanë marrë një zotim nga Ministria e Administratës Publike, se të ardhurat nga puna e tyre  nuk do të pësojnë zbritje deri në implementimin e Ligjit mbi Pagat e Nëpunësve Civilë. Megjithëkëtë, Kryetari i kësaj Sindikate është shprehur i bindur se, në rast se ky ‘zotim’ nuk mbetet i tillë, atëherë do të ketë protesta tejet të fuqishme dhe asgjë nuk do të jenë protestat e paralajmëruara nga partitë politike, çka do të jenë këto nga ana e tyre.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ndue Kalaj, ka thënë për Gazeta Blic, se i është premtuar (si Sindikatë), që shtesat e punëtorëve civilë nuk do të hiqen. Megjithatë, në ditët e ardhshme, ata  nuk do të ndalen dhe do të veprojnë gjer në arritjen e synimit.

“Sipas njoftimit që na e ka dhënë sekretari permanent tek ministri Yagxhillar shtesat e civilëve nuk do të preken, deri në momentin kur të zbatohet Ligji mbi Pagat e Nëpunësve Civilë. Ne jemi duke bërë përpjekje të vazhdueshme dhe sot jemi duku u munduar të  takohemi edhe me Avdullah Hotin për këtë çështje. Nuk do të ndalemi dhe do të veprojmë në mënyrë sa më të fuqishme, ngase ky vendim do të ishte një veprim skandaloz dhe i papranueshëm për të gjithë shërbyesit civilë”, ka thënë Kalaj.

Ai më pas, ka shtuar se, nëse ky premtim nuk do të çohet deri në fund, do të ketë protesta të fuqishme, ngase sipas tij, po qe se  ndodh ky verim, atëherë punëtorëve iu shkelet një e drejtë elementare, të cilën e kanë të siguruar.

“Në qoftë se preken shtesat prej 30 eurosh tek shërbyesit civilë, e sidomos nuk preken tek disa të tjerë, por pikërisht te ky sektor, i cili i ka pagat më të vogla, ju them se asgjë nuk do të jenë protestat politike që paralajmërohen, çka do të jenë protestat për cenimin e një të drejte të garantuar me bazën ligjore. Kjo është absolutisht e papranueshme dhe ne, deri në momentin e fundit do t’i mbrojmë  të drejtat e shërbyesve civilë dhe nuk do të lejojmë kurrsesi të preken”, ka thënë Hoti.

Ai i ka thënë Gazetës Blic se shumë vite më parë, si Sindikatë e Pavarur e kanë bërë një marrëveshje sa iu përket këtyre shtesave, të cilës sot e asaj ditë i janë përmbajtur. Dhe, se do të kërkojnë të mos bëhet ndërhyrje deri në fuqizimin e ligjit përkatës.

“Madje, kjo ka qene edhe një marrëveshje që ne si Sindikatë e kemi bërë në vitin 2010, që gjoja si në emër të shujtës të jepet shuma prej 30 eurosh. Ajo ka mbetur deri sot dhe ne kemi insistuar që kjo shtesë të mos preket, deri në momentin kur të fillojë zbatimi i Ligjit. Në momentin kur të fillojë zbatimi i ligjit, atëherë për ne nuk ka problem, nëse një page e nënpunësit civil do të jetë pagë ligjore dhe do të jetë në përputhje me ligjin”, ka përfunduar Kalaj.

Qeveria e Kosovës ditë më parë, ka pezulluar shtesat mbi pagën bazë (që realizohen nga buxheti i Kosovës), por pezullimi i tillë  nuk ka prekur shtesat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Është bërë e ditur se kjo gjendje do të vazhdojë nga 1 shtatori, deri më 1 dhjetor të këtij viti./ Gazeta Blic