Petersen: Vota demokratike e popullit e bëri “Vetëvendosjen” partinë më të madhe

Ish-kryeadministratori i Kosovës, Soren Jessen-Petersen, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” thotë se qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e 11 qershorit votuan për ndryshime. Sipas tij, ka ardhur koha që vendi ta ndryshojë klasën politike, ose kjo e fundit t’i ndryshojë prioritetet e saj.

Ai megjithatë është i lumtur që Kosova tashmë është e pavarur, përderisa shprehet i zhgënjyer me mosluftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Zëri: Lëvizja “Vetëvendosje” tani është forcë serioze politike, derisa kur keni qenë ju vetëm sa pati filluar si iniciativë qytetare. A mendoni se drejtuesit e saj tashmë janë të gatshëm të marrin përgjegjësi institucionale?

Petersen: Ju keni pasur zgjedhjet së fundi dhe t’i lëmë ato, të flasin për ushtrimin e demokracisë. Pra, ju ose ju keni direkt popullin në pushtet, ose në mënyrë indirekte përmes votimit që ata bëjnë. Populli e ka ushtruar të drejtën e tyre demokratike duke votuar dhe përmes atij votimi ata e kanë bërë “Vetëvendosjen” partinë më të madhe. Pra, kjo është tashmë një mesazh i qartë, shumë i qartë i votuesve. Sa i përket gatishmërisë për marrjen e pushtetit, sa unë e di, tashmë kemi kryetarin e Prishtinës nga kjo parti.

Zëri: Pra ju thoni se “Vetëvendosja” është e gatshme që të qeverisë me vendin?

Petersen: Nuk ka lidhje mendimi im, për këtë ka vendosur populli duke e bërë partinë më të madhe në Kosovë aktualisht. Tani varet nga negociatat mes partive politike. Mirëpo, a janë të gatshëm apo jo, çfarë është e rëndësishme është fakti se votat për 32 deputetë kanë thënë se ata janë gati. Kanë qenë votuesit ata që kanë folur.

Zëri: Po thoni që  votuesit kanë folur për ndryshime në Kosovë?

Petersen: Po, duket se shumë votues kanë të njëjtat qëndrime sikur i kam unë. Pra mendoj se është momenti vendimtar t’i shohim disa ndryshime tani, që do të thotë disa ndryshime në ekonomi, në punësim dhe kjo kërkon përmirësime në sundimin e ligjit dhe në luftim të korrupsionit. Këto janë arsyet që votuesit kanë votuar kështu.