Përplasje ne mes te pozitës dhe opozitës në Malishevë (video)

mnp_malishevaRaporti i Auditimit ka paraqitur për Komunën e Malishevës shumë vërejtje dhe parregullsi.

Mbi këto gjetje, opozita kritikoi komunën për keqmenaxhim dhe papërgjegjësi, ndërsa komuna deklaroi se nuk pranon gjetjet e auditorit.

Muhamet Bytyqi nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) në Malishevë, tha se të shpenzosh 10,000 litra naftë për vetura private është skandaloze nga komuna.

“Janë rreth 12 mijë euro shpenzime të karburanteve, vetëm për tre muaj, me vetura private, për të cilat komuna nuk ka evidenca, pastaj ka problem në tender, ka probleme në ndërrim të destinimit të mjeteve buxhetore pa vendim të kuvendit”, tha ai.

Drejtori i Financave në Komunën e Malishevës, Vesel Krasniqi, i mohon akuzat e VV dhe akuzon auditorin.

Sipas tij, auditori nuk i ka marrë fare komentet e tyre dhe draftin e ka nxjerrë pas as një koment të komunës.

“Kryetari i komunës ka nxjerr vendim, për mbulesë të shpenzimeve në emër të efikasitetit të drejtorëve, që gjithsej 11 janë në komunën ton, në bazë të atij, vendim 50 litra naftë çdo muaj i lejohen drejtorëve. Auditorit i përgjithshëm në këtë rast i ka marrë emrat, si në këtë rast Vesel Krasniqi , edhe pse ushtroj detyrën e drejtorit, e ka regjistruar si person fizik”, tha Krasniqi.

Në raportin e auditimit, shihet se komuna e Malishevës, ka shpenzuar për tre muaj 12,238 euro, për karburante, apo mbi 10,000 litra naftë, për veturat privatë të zyrtareve komunalë, pa evidencë të besueshme të sasisë së derivateve, pa raport mbi aktivitetin që kanë kryer, pa procedura që i specifikon ligji dhe pa kontroll.

Lëvizja Vetëvendosje tha se këtë raport shumë shpejt do ta dërgojnë në prokurori për hetime. /kallxo.com