Përjashtimi i Agjencisë së Akreditimit: Kërkohet shkarkimi i ministrit të Nismës

Ish udhëheqësi i Agjencisë Kosovare të Akreditimit, Blerim Rexha ka gjetur fajtorin për përjashtimin e kësaj agjencie nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë të Arsimit të Lartë (EQAR).

Ai e ka bërë përgjegjës ministrin e Arsimit, Shyqyri Bytyqin i cili me ardhjen në krye të kësaj ministrie pati shkarkuar bordin e Bordin e Agjencisë së Akredimit të Kosovës, vendim ky që është vlerësuar si politik.

“Shkarkimi im, jo vetëm që është bërë pa ndonjë analizë paraprake të situatës në arsimin e lartë, por është bërë për interesa të grupeve të caktuara të interest”, ka thënë Rexha, për ORAinfo.

Rexha ka kërkuar nga Bytyqi të shkarkohet nga detyra që mban dhe të mos e dëmtojë sistemin e Arsimit të Lartë.

“Ministri i Arsimit tani ka mundësi të bëjë dy veprime të mira dhe të fundit për Arsimin e Lartë në Kosovë: Të kërkojë falje publike, për situatën që ka sjellë në sistemin e arsimit të lartë dhe
të ndalojë së dëmtuari sistemin e arsimit të lartë duke u larguar nga pozita që mban”, ka shtuar Rexha.

Ish udhëheqësi i AKA-s ka numëruar disa nga humbjet dhe pasojat që ka përjashtimi nga EQAR dhe rëndësinë që ka kjo organizatë.

“EQAR është organizata me e rëndësishme e Bashkimit Evropian për sigurim të cilësisë në arsimin e lartë në Europë. Pak nga shtetet e rajonit janë anëtare të këtij rrjeti dhe Kosova ka qenë ndër të parat nga rajoni që ishte anëtarësuar me 2015 në këtë mekanizëm.

Disa nga humbjet dhe pasojat e këtij përjashtimi janë:

1. Humbja e besueshmërisë së programeve të studimeve për të siguruar cilësinë e kërkuara nga tregu i punës,

2. Dëmtim i gati i pariparueshëm i mazhit të Agjencisë dhe sektorin të arsimit të lartë në Kosovë dhe jashtë saj,

3. Vendimi i kthen Agjencinë e Akreditimit prapa për 10 vite, pune dhe angazhim në përmbushjen e obligimeve për anëtarësim në EQAR,

4. Pengon (ndalon) aspiratën e arsimit të lartë në Kosovë për integrim në hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë,

5. Pengon (ndalon) procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bolonjë,

6. Pengon dhe vështirëson procesin e referencimit të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve, dhe rrjedhimisht pengesa në mobilitetin e fuqisë punëtore në përgjithësi nga Kosova në Europë,

7. Humbja e rëndësisë së procesit të akreditimit dhe AKA-se si rregullator kryesor i cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë,

8. Shpërbërja e Agjencisë (mos interesimi dhe largimi i stafit),

9. Rreziku që kriteret minimale te sigurimit të cilësisë të mos plotësohen nga IAL-të për shkak të dobësimit të AKA-se dhe ndërhyrjeve politike

10. Prishja e sistemit të arsimit të lartë, dhe humbja e kontrollit për sa i përket hapjes së programeve të reja, mungesave të stafit akademik për programe të studimit, regjistrimi jashtë afateve kohore të studenteve etj”, ka përfunduar Rexha, për ORAinfo.

Ndryshe, vendimi i kryeminsitrit Haradinaj për ta shkarkuar Bordin e Agjencisë së Akredimit të Kosovës, me arsyetimin se ky bord nuk ka pasur performancë të mirë, është njëra nga arsyet pse Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë ta përjashtojë këtë agjenci.

Gjithashtu, aty thuhet se puna e tyre nuk u kishte pëlqyer qeverisë dhe kishte shkarkuar ata pa ndonjë arsyetim konkret, duke emëruar anëtarë të tjerë, kryesisht aktivistë partiakë./Alma Baxhaku/ ORAinfo/