Përfituesit e tenderëve milionësh nuk dalin para drejtësisë, për faj të Eulex-it

euleksperiment

Prokuroria ka dështuar t’i çojë para drejtësisë përfituesit e miliona eurove të shtetit në tenderë të dyshimtë, shkruan sot Koha Ditore.

Dymbëdhjetë të akuzuar, përfshirë “një peshk të madh”, kanë shpëtuar pa u gjykuar për korrupsion për shkak të shkeljeve që kanë bërë prokurorët e EULEX-it. Aktakuzat kanë rënë poshtë në fazën fillestare për shkak të hetimeve dhe ngritjes së aktakuzave përtej afatit ligjor prej dy vjetësh.

Tenderi në vlerë mbi 6 milionë euro i fituar nga djali i vëllait të Sami Lushtakut dhe një tender për furnizim me armë të Policisë së Kosovës mbi dy milionë euro janë hedhur poshtë me vendim të Gjykatës brenda dy muajsh. Procedurat penale kundër të akuzuarve kanë përfunduar si pasojë e shkeljeve ligjore nga dy prokurorë të EULEX-it.

Gjykata e Apelit në Prishtinë ka hedhur poshtë aktakuzën kundër kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, drejtorit menaxhues të KEK-ut, Arben Gjukaj, shefit të prokurimit në këtë kompani publike, Driton Pruthi, pronarëve të kompanisë “Security Code”, Milaim Lushtaku dhe Esat Tahiri, si dhe ekspertit të OSHP-së, Azem Duraku.

Një aktakuzë tjetër është hedhur poshtë dy muaj më parë.