Për interesa dhe vlera, e jo për ide dhe koncepte

Shkrim nga: Armend Mazreku

Po, vërtet e fituat
realitetin.
Por, në vend të tij, i humbët
ëndrrat.

(Frymëzuar nga një shkrimtar austriak)

Në një tekst të tijin të botuar në motin e largët 1899, Sigmund Freud përmend, në mes të tjerash, historinë e një burri të rraskapitur, i cili, pasi i vdes i biri nga një sëmundje e rëndë, bie në dremitje dhe ëndërritë sikur djali i tij ndodhej gjallë në një shtrat të rrethuar me qirinj përplot flakë, duke sëkëllitur me të madhe: “Baba, a nuk po e sheh që jam duke u djegur?” Sakaq, të paktën sipas asaj që Freud transmeton, kuptojmë se babai qe zgjuar në mënyrë të beftë nga kjo ëndërr e tmerrshme, për të kuptuar se trupi i pajetë i të birit kish filluar menjëmend të digjej nga flakët e një qiriri.

Çfarë e kish shtyer babain e djalit në fjalë për të dremitur dhe ëndërruar, përkundër dëshirës fillestare të tij thjesht për t’u çlodhur? Sipas Freud, ajo që e kish shtyer babain e djalit në fjalë për t’u kotur dhe ëndërruar ishte saktësisht dëshira e tij për ta parë djalin e vet edhe një herë gjallë. Prandaj, argumenton Freud, babai kish zgjatur gjumin për një moment më shumë—meqë, në këtë mënyrë, mundte ta mbante djalin e vet “ende” gjallë. Siç shprehet edhe vetë, ëndrra parapëlqehej në vend të zgjimit sepse përmbushte dëshirën e babait për ta parë djalin e vet edhe një herë gjallë.

Mirëpo, me këtë konstatim të Freud—që ëndrra parapëlqehej në vend të zgjimit, pasi mundësonte përmbushjen e dëshirës së babait për ta parë djalin e tij edhe një herë gjallë—nuk pajtohej psikoanalisti i famshëm francez, Jacques Lacan, i cili, përkundër Freud, thoshte se, në fakt, më shumë babai preferonte zgjimin dhe përballjen me realitetin e humbjes së të birit, sesa përjetimin e vdekjes së tij në ëndërr—meqë kjo e fundit, sipas tij, përmbante më shumë “realitet” brenda. Ose, thënë tjetërqysh, përballjen e vërtetë traumatike: “Nuk ishte ndërhyrja e sinjalit nga realiteti i jashtëm [flaka/tymi] që zgjoi babanë e shkretë nga gjumi [siç besonte Freud], por karakteri traumatik i papërballueshëm i asaj që ndeshi në endërr.” Mbi bazën e këtij rileximi radikal, Lacan, ndryshe nga Freud, mendonte se mësimi kryesor që mund të nxjerrim nga rasti në fjalë nuk ishte prandaj ajo që aludonte ky i fundit: pra, që ëndrrat janë për ato që nuk mund të përballojnë realitetin (në formën e një wish fulfillment), por saktësisht e kundërta: që realiteti është për ata që nuk mund të përballojnë ëndrrat.

Po kështu si Lacan, në një shkrim të tijin të botuar për herë të parë në London Review of Books, Slavoj Žižek argumentonte se mësimi kryesor i rastit në fjalë qe mu ajo që thoshte Lacan: pra, që “realiteti është për ata që nuk mund t’i bëjnë ballë ëndrrave.” Madje, për ta bërë më të kuptueshëm këtë rilexim radikal të Lacan, Žižek citon edhe poezinë e famshme të Primo Levi-t, të titulluar “Reveille,” në të cilën ky i fundit përmbledh historinë e të mbijetuarëve të kampeve të përqëndrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore në vetëm dy strofa. Për ata që nuk e dinë, në strofën e parë Levi tregon sesi të mbijetuarit—derisa ndodhen në kamp—shohin në ëndërr duke u kthyer në shtëpi, duke ngrënë ushqim të mirë, duke u rrëfyer njerëzve të afërm historinë e vet tragjike—kur, me të çelur dielli, ushtarët nazistë i urdhërojnë për t’u zgjuar nga gjumi, duke u bërtitur ‘Wstawac!’ (‘Çohuni!’). Për dallim, në strofën e dytë—siç e përmend Žižek, gjithashtu Levi tregon sesi të mbijetuarit ndodhen në shtëpi, të ushqyer për merak, duke u rrëfyer të afërmëve historinë e vet tragjike—kur, papritur e pakujtuar, e imagjinojnë sërish urdhërin e ushtarëve nazistë ‘Wstawac!’ (‘Çohuni!’). Sipas Žižek, përmbysja që ngjan nga strofa e parë në të dytën është vendimtare në këtë poezi. Meqë, pavarësisht se përmbajtja në të dyja strofat është formalisht e njëjtë, në strofën e parë ëndrra ndërpritet brutalisht nga urdhëri i ushtarëve nazistë, kurse në strofën e dytë është realiteti që ndërpritet nga urdhëri i imagjinuar. Andaj, si përfundim, Žižek, ashtu si Lacan përpara tij, konkludon se mësimi kryesor i veprës së Freud, Interpretimi i Ëndrrave, si dhe poezisë së famshme “Reveille,” është pikërisht ajo që cekëm më lart: pra, që realiteti është për ata që nuk mund të durojnë ëndrrat.

Po i referohem këtij mësimi të famshëm të Lacan dhe Žižek mbi papërballueshmërinë e ëndrrave sepse, në mendimin tim, na ndihmon për të shpjeguar transformimin radikal të ish drejtuesëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga ëndërrimtarë, idealistë dhe aktivistë (siç ishin dikur), në realistë, materialistë, pragmatistë, e institucionalistë (siç kanë përfunduar sot).

Pse po e them këtë?

Shkurt, po e them sepse, njëherë e një kohë, figura të tilla vërtet udhëhiqeshin nga ëndrra, ideale dhe kauza shoqërore e kombëtare. Thënë ndryshe, nga besimi se koha, siç do të thoshte një mendimtar që e kam në qejf, mbartte një kuptim, një qëllim, një premtim, emri i të cilit do të ishte historia, emancipimi, çlirimi, bashkimi me Shqipërinë, mirëqenia, demokracia, progresi, drejtësia, liria kolektive. Prandaj, siç dihet botërisht, ishin në Lëvizjen Vetëvendosje. Dhe, duke qenë në Lëvizjen Vetëvendosje, prandaj ishin të tillë.

Mirëpo, si duket, në një moment të caktuar të jetës së tyre janë lodhur nga këto ëndrra, ideale dhe kauza. Dhe, në vend të tyre, kanë vendosur të përqafojnë atë që filozofi i famshëm francez, Alain Badiou, e quan “ligji i pamëshirshëm i realitetit.” Apo, siç një bashkëkohës i tij i referohet ndryshe, “ligji i të tashmes dhe të mundshmes.” Sepse, siç pohuam dhe më lart, duke u bazuar në shkrimet e Lacan dhe Žižek, realiteti është për ata që nuk mund t’i bëjnë ballë ëndrrave. Për më tepër që, sipas vizionit obskurantist, objektivist dhe konsensualist të tyre—të informuar nga Psikologjia e Suksesit 1, 2 dhe 3, recetat e famshme të Hetem Ramadanit mbi shërimin e sëmundjeve me çaj kamomile, si dhe shkrimet e pafundme të Osho-s dhe Daut Demakut mbi rëndësinë e evakuimit të së shkuarës dhe të ardhmës (meqë parajsa është sall “këtu dhe tash”)—kjo është njëherit rruga më e sigurt për të mos dështuar. Ose, më saktë, rruga më e lehtë dhe më e shpejtë për të ardhur në pushtet. Siç do të thoshte Badiou, këta qartazi e kanë kuptuar se “të mos përpiqesh për asgjë tjetër përtej asaj që është ka qenë përherë rruga më e sigurt për të mos dështuar.”

Prandaj, siç mund ta keni parë edhe vetë, kohëve të fundit të gjithë kanë filluar një nga një të denoncojnë nëpër studio televizive “krimin” e tyre të dikurshëm—pra, që kanë besuar se historia kish kuptim, se ëndrrat apo artikulimet utopike qenë të domosdoshme për rimendim dhe rikonfigurim të realitetit ekzistues, dhe që i përkiste popullit (e jo teknokratëve apo ekspertëve të hamamit) për t’i realizuar ato. Madje jo vetëm kaq, por siç do të thoshte një mendimtar bashkëkohor francez, këta kanë filluar të denoncojnë edhe vetë gjënë që mundëson të menduarit utopik: pra, besimin se koha bart një kuptim, një ëndërr, një premtim, dhe që i përket pikërisht popullit ta realizojë atë.

Në këtë kontekst, nuk është për t’u çuditur aspak që sot i dëgjojmë duke folur për parti politike, e jo për Lëvizje. Për “bashkëpunime rajonale,” dhe jo për bashkim me Shqipërinë. Për “respektim të shtetit ligjor,” dhe jo për shtet të së drejtës. Për demokraci liberale, dhe jo për demokraci radikale. Për rrethana objektive, dhe jo për vullnet subjektiv. Për zhvillim ekonomik, dhe jo për mirëqenie. Për grupe të ndryshme të interesit, dhe jo për popull. Për “oferta reale politike,” duke harruar që të ‘premtosh më pak nuk do të thotë të premtosh më ndryshe’, dhe jo për alternativa qeverisëse. Për liri të zgjedhjes individuale, dhe jo për liri kolektive. Për “shanse të barabarta,” dhe jo për barazi socio-ekonomike. Për “çështje të vogla,” si mbjellja e ndonjë luleje, dhe jo për “çështje të mëdha,” si puna e sovranitetit, territorit, bashkimit me Shqipërinë, dialogut me Serbinë, formimit të ushtrisë, Zajednicës, etj.). Për interesa dhe vlera, e jo për ide dhe koncepte. Për qytete dhe organizata “supra”nacionale, e jo për shtet dhe komb. Për përfaqësim dhe diversitet, e jo për pjesëmarrje dhe universalitet. Për kapacitetet e “pazakonta” të ekspertëve dhe teknokratëve të tyre, ndërkaq jo për kapacitetet intelektuale dhe diskursive të qytetarëve. Për administrim dhe menaxhim të buxheteve, e jo për udhëheqje dhe drejtim të vendit. Për tryeza dhe konferenca me zyrtarë, e jo për protesta dhe demonstrata me qytetarë…. Sepse, siç deklaruam edhe më sipër, të flasësh për gjëra të tilla është më e kollajshme, kurse të flasësh (e të veprosh) për ëndrra, ideale, kauza, është përplot rreziqe, vështirësi, mundime, dështime, etj.

Prandaj, në vend të ndryshimit të vendit, këta kanë thënë më mirë po ndryshojmë vetë, që së paku, të bëhemi heronj të tregimeve tona. Fundja, nuk janë bash budallenj ata që thonë: ‘Ndryshimi fillon nga vetvetja,’ ose ‘Bëhu ndryshimi që dëshiron ta shohësh në botë!’ Vetëm se ne, arsyetojnë i madh e i vogël i tyre, duke qenë epitomë e maksimës së përbotshme ‘Mendo globalisht, vepro lokalisht,’ do ta adaptojmë këtë maksimë gjeniale në kontekstin lokal, duke e bërë ‘Bëhu ndryshimi që dëshiron të shohësh në Kosovë!’ Ah, sa e bukur! Duke shpresuar se, një ditë, do të bëhemi modele të suksesshme dhe, kur të kemi mbërritur moshën e pleqërisë, të shkruajmë një libër po aq të suksesshëm sa edhe ne, me një titull intrigues që ka për të zgjuar kureshtjen e gjithsecilit për ta lexuar, Si të bëhesh i Suksesshëm në një Shtet të Dështuar: 14 Këshilla të Vlefshme nga 12 Deputetë dhe 2 Kryebashkiakë të Suksesshëm.