Pensionohet një zyrtar në Komunën e Malishevës (Foto)

Shefi i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, Ismet Mazreku, sot i ka mbushur 65 vite dhe nga dita e sotme është pensionuar. Me këtë rast, organizuar nga Komuna e Malishevës dhe Sindikata e punëtorëve të administratës, u organizua një ceremoni falënderimi për punën, mbi katër dekada në arsim dhe në administratën komunale.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe kryetari i Sindikatës, Jakup Zulfaj, sikur edhe bashkëpunëtorët, e kanë vlerësuar lartë punën, kontributin dhe bashkëpunimin e bacës Ismet, në Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe për punën e tij, mbi katër dekada.

“Ishte një bashkëpunëtor i mirë, i shoqërueshëm me të gjithë, dhe mbi të gjitha, ishte një punëtor i mirë. Ismeti, dha kontribut të madh në arsim, për ta vazhduar me kontributin e tij në luftë, si pjesëtar aktiv i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe për ta përfunduar karrierën e tij të kontributit shumë vjeçar në administratën komunale”, tha kryetari Begaj, me rastin e pensionimit të Ismet Mazrekut.

“Ismet ka qenë një bashkëpunëtor i mirë, një punëtor i madh, e mbi të gjitha një kolegë i mirë në punë”, tha kryetari i sindikatës Jakup Zulfaj, i cili më pas e lexoi në tërësi punën e Ismet Mazrekut, deri në pensionimin e tij. Zulfaj, nuk i harroi as batutat dhe humorin e jashtëzakonshëm,  të Ismet Mazrekut, i cili me humorin e tij, kijonte një ambient sa më të mirë në punë, duke bërë që punëtorët të jenë sa më bashkëpunues gjatë punës së përditshme.

Edhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Milazim Morina, gjithashtu e ka vlerësuar lartë punën dhe kontributin e bacës Ismet, gjatë shërbimit të tij në drejtorinë që ai drejton.

Më pas, me lot në sy, Ismet Mazreku, i ka përshëndetur të gjithë bashkëpunëtorët dhe punëtorët e administratës komunale në Malishevë, për bashkëpunim dhe për respektin e treguar ndaj tij, sikur edhe organizimin e sotëm.