‘’PDK po mundohet t’i rikthejë votat e humbura’’

Partia Demokratike e Kosovës tashmë ka nisur një mobilizim të madh në të gjitha komunat e Kosovës. Madje, ata kanë filluar me akuza të ashpra sidomos në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ky mobilizim i tyre sipas analistëve politik po nënkupton se ata kësaj radhe kanë filluar shumë më herët përgatitjet për zgjedhjet lokale nga frika e rritjes së VV-së dhe humbja e tyre e votave në zgjedhjet e fundit në Kosovë.

Në një prononcim për Indeksonline, Imer Mushkolaj thotë se trendi për PDK-në është negativ, prandaj ata janë duke u munduar që për zgjedhjet e 22 qershorit të mobilizohen shumë më herët në mënyrë që të mundohen të kthejnë votën e humbur.

“Trendi për PDK-në është negativ dhe kjo ka bërë që kjo parti të mobilizohet shumë më herët se zakonisht për zgjedhjet lokale. PDK do të provojë që në zgjedhjet e 22 tetorit të rikthejë votën e humbur, ndonëse është shumë e vështirë. Në zgjedhjet lokale do të ndikojë edhe fakti se kush do ta bëjë qeverinë qendrore, por, natyrisht, emrat e kandidatëve për kryetarë komunash dhe koalicionet eventuale parazgjedhore do të determinojnë fituesit”, ka thënë Mushkolaj.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Donik Sallova thotë se tashmë PDK e ka kuptuar se ajo nuk është partia e parë në Kosovë dhe se këtë vend ia ka zënë Vetëvendosje.

Prandaj, sipas tij, PDK edhe ka filluar me akuza dhe sulme ndaj të vetmes njësi qeverisës të VV-së.

“Pa dyshim, PDK-ja e ka kuptuar që tashmë nuk është partia e parë politike në Kosovë dhe se këtë vend ia ka zënë VV, prandaj dhe po e sulmon të vetmen njësi qeverisje te saj, Prishtinën. Mendoj se PDK duke e parë se në LDK akoma janë të paqartë për kandidatin e saj për kryetar të Prishtinës, po synon ta marrë primatin e luftës politike kundër VV-së në Prishtinë.”, ka thënë Sallova.

E në rast se nuk ndodh koalicioni qendror VV-LDK, sipas Sallovës luftës së PDK-së kundër VV-së shumë shpejt mund t’i bashkëngjitet edhe LDK-ja, pasi është vet VV e cila pasi mori Prishtinën i dërgoi një numër lëndësh në prokurori kundër Isa Mustafës.

Sipas tij, rritja e madhe e VV-së në zgjedhje është një kambanë paralajmëruese për të gjitha partitë që kanë qeverisur gjatë në Kosovë.