PDK: Gjykata ka kthyer edhe një Drejtor në punë

pdk1Partia Demokratike e Kosovës, dega në Malishevë, ka lëshuar një komunikatë për media, me të cilën njofton se Gjykata ka kthyer edhe një drejtor në punë, pasi sipas tyre ai ishte larguar padrejtësisht nga puna vetëm pse ishte anëtar i PDK-së. Më poshtë komunikata e plotë e këtij subjekti:

Edhe një drejtor i larguar nga “Nisma” kthehet në punë me vendim të gjykatës Faik Krasniqi rikthehet drejtor në SHFMU “ Afrim Krasniqi” në fshatin Bardh të Komunës së Malishevës. Me ardhjen në pushtet të partisë “Nisma për Kosovën” në Malishevë ai ishte larguar nga posti i drejtorit në këtë shkollë pasi ishte akuzuar se është kuadër i PDK-së.

Pasi ishte larguar nga puna me 1/ 08 / 2014, Faik Krasniqi ishte ankuar në këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, ku largimi i tij ishte vlerësuar i pa drejtë dhe i ishte kërkuar Komunës së Malishevës që ai të kthehet në vendin e tij të punës.

Një vendim të tillë nuk e zbatuan organet drejtuese të Komunës së Malishevës përkatësisht kryetari Ragip Begaj, kurse Faik Krasniqi ishte i detyruar që vendimin e KPM të SHCK-së ta fuqizoj edhe në procedurë gjyqësore. Ditë më parë, avokati mbrojtës i Faik Krasniqit ka marrë vendimin e gjykatës i cili i mundëson kthimin në postin e drejtorit z.Faik Krasniqi pas një vit e gjysmë të kërkimit të drejtësisë. Krasniqi tashmë ka kërkuar kthimin në vendin e punës me vendim gjyqësor të formës së prerë por zbatimin e këtij vendimi po e neglizhojnë edhe më tej organet komunale të Malishevës të drejtuar nga partia “Nisma për Kosovën”.

Në rast të moszbatimit të menjëhershëm të këtij vendimi, atëherë drejtuesit e Komunës së Malishevës sërish do të përballen me prokurorinë dhe gjykatën pasi vendimi është i formës së prerë dhe moszbatimi i tij urgjent paraqet vepër penale.

Përndryshe, ky nuk është rasti i vetëm që një drejtor shkolle i larguar për arsye politike, të fitoj të drejtën përmes gjykatës. Përveç Faik Krasniqit, me vendime të gjykatës së formës së prerë në postet e tyre janë kthyer edhe Shemsi Morina, Raimonda Krasniqi, Agim Samadraxha, Sabit Berisha e të tjerë kurse për shkak të largimit të padrejtë të tyre si dhe për shkak të moszbatimit të vendimeve të formës së prerë, ndaj kryetarit të Komunës z. Ragip Begaj dhe shumicës së drejtuesve tjerë komunal nga lëmi i arsimit po udhëhiqen procedura gjyqësore. Komuna e Malishevës e drejtuar nga “Nisma për Kosovën” e Fatmir Limajt në opinionin e Kosovës është bërë e njohur për ndjekjen e kuadrit arsimorë që i përkasin PDK-së dhe punësimin e militantëve të subjektit politik “Nisma për Kosovën” në vend të tyre pa marrë parasysh përgatitjen e tyre.