PDK bënë koalicion me ashkalinjtë në këtë komunë

Me mbi 500 vota të fituara, Partia e Ashkalinjve për Integrim tashmë ka vendosur se kë do e përkrahë në balotazhin e 19 nëntorit për komunën e Ferizajt.

Kreu i PAI-së, Danush Ademi ka thënë për “Indeksonline” se partia e tij do e mbështesë kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Agim Aliun.

“Kemi diskutuar brenda partisë dhe vullneti i elektoratit tonë është që ta përkrahë Partinë Demokratike të Kosovës, Agim Aliun. Elektorati im besoj se i kam 500-600 vota, kështu që do e përkrahim atë. Ende nuk jemi marrë vesh, por jemi në konsulta”, ka thënë ai.

Sipas Ademit, qytetarët që ia kanë besuar votën partisë së tij nuk mund të mbesin në asnjërën anë. Ata, ka thënë ai, duhet të vendosen nga njëra palë.

“Balotazhi është i qytetarit dhe ai duhet të vendosen diku, në të majtë apo në të djathtë, nuk mund të lihet në asnjërën anë. Partia Demokratike e Ashkalinjve ka vendosur që ta mbështesë kandidatin Agim Aliu”, është shprehur ai.

Kujtojmë se në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, Agim Aliu i PDK-së ka marrë 38.56 për qind të votave, deri sa Muharrem Svarqa i LDK-së ka marrë 30.72 për qind të tyre.

Partia e Ashkalinjve në këto zgjedhje, me kandidatin e tyre Qazim Rahmani kishte arritur të fitojë besimin e 545 votuesve, apo 1.07 për qind të tyre.